Pas ngjarjeve kriminale të ndodhura së fundmi në vendin tonë, "Shqiponjat" dhe forcat e FNSH-së vijojnë kontrollet në qytete të ndryshme të vendit në ditën e dytë të tyre. Atentatet kanë ngritur në këmbë strukturat e policisë e cila ka nisur kontrollet thuajse në të gjitha qarqet e vendit jo vetëm për të kapur autorët e ngjarjeve të fundit kriminale, por edhe evidentimin  e elementeve kriminal por dhe personave në kërkim. 

Policia në Fier dhe në Fushë-Krujë është vënë në kërkim të armëmbajtësve pa leje e kultivuesve të drogës, duke kontrolluar në mënyrë të imtësishme makina apo persona të dyshuar. Ndërsa në Elbasan, në vendin ku u vra Bujar Çela është vënë përsëri postbllok në Bradashesh. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:02
Kontrollet e policisë në Berat, arrestohen 5 persona e vihen në hetim 1 tjetër

Në kuadër të operacionit të organizuar nga blutë e Beratit, gjatë postblloqeve të ngritura gjatë dy ditëve janë kapur dhe ndaluar disa persona si më poshtë: Në kuadër të këtij operacioni të policisë së Beratit janë arrestuar në flagrancë 5 persona për vepra të ndryshme penale, ndërsa një tjetër është vënë nën hetim në gjendje të lirë. Në prangat e policisë kanë rënë D.T,i cili u kap me disa doza me kokainë dhe cannabis sativa në automjetin e tij, A.H dhe K.H,që u kapën duke drejtuar motoçikletat pa leje drejtimi, L.V,që ishte shpallur në kërkim për veprën penale "Dhuna në familje" dhe K.K, pasi ishte me masën e sigurimit "Arrest në shtëpi" dhe gjatë kontrolleve u kap nga shërbimet e Policisë në një lokal. Gjithashtu, policia ka vënë nën hetim shtetasin E.H, pasi gjatë kontrollit iu gjet një dorezë metalike. Të gjithë këta persona janë kapur gjatë kontrolleve të ngritura që prej ditës së djeshme e në vijim.

Ora 20:30
Policia e Elbasanit dhe RENEA sërish pika kontrolli në Brandashesh (VIDEO)

Policia e Elbasanit dhe RENEA kanë ngritur sërish pika kontrolli në Brandashesh.

Ora 19:43
Në kërkim të kriminelëve, 'Shqiponjat' zbarkojnë në qendër të Fushë-Krujës (VIDEO)

Forcat "Shqiponja", policia kriminale dhe efektivë të komisariatit të Krujës kanë zbarkuar në qendër të Fushë Krujës dhe po kontrollojnë automjete të ndryshme. 

Automjetet po i nënshtrohen kontrollit për persona të dyshuar si të përfshirë në ngjarje kriminale persona në kërkim apo armë me mjete të ndaluara.

Kontrollet e policisë në Fushë-Krujë
Ora 19:00
Policia në kërkim të armëmbajtësve pa leje e kultivuesve të drogës, kontrolle në Fieri (VIDEO)

Në qytetin e Fierit po zhvillohen kontrolle të policisë për të kapur personat që kanë armë pa leje apo  që kultivojnë e shpërndajnë lëndë narkotike.