TIRANË- Duke nisur nga ky vit, qytetarët shqiptarë do mund të udhëtojnë drejt Kinës pa patur nevojë që të marrin vizë. Lajmi është bërë me dije nga kreu i qeverisë Edi Rama, i cili thekson se marrëveshja mes dy vendeve do të futet në fuqi pas 30 ditësh. Rama ka ndarë foton e ambasadorit të Kinës në Shqipëri, Zhou Ding dhe zv.ministres së Jashtme, Megi Fino, të cilët kanë nënshkruar edhe marrëveshjen.

“Pas 30 ditësh Kina hapet pa viza për shqiptarët”, shkruan Rama.

Përmes kësaj marrëveshje të nënshkruar mes dy vendeve, qytetarët shqiptarë do mund të qëndrojnë në Kinë nga 90 ditë deri në 180 ditë pa patur nevojën që të marrin vizë siç ka funksionuar deri më tani.

Në ndryshim nga shqiptarët, qytetarët kinezë kanë pasur mundësinë që për qëllime turistike të futen në Shqipëri dhe të qëndrojnë pa vizë për 90 ditë në 180 ditë që prej dhjetorit të vitit 2019, me një Vendim të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë. Tashmë me këtë marrëveshje do të krijohen lehtësira edhe për qytetarët shqiptarë që do të futen pa viza për qëndrim afatshkurtër në Kinë.

Kina bëhet vendi i 116 që shqiptarët mund të udhëtojnë lirshëm në të gjithë botën. Indeksi i pasaportave Henley e renditi Shqipërinë në vendin e 93-të pasi me anë të pasaportës tonë mund të shkohej në 115 vende, pa i shtuar edhe Kinën.

Ambasadori i Kinës Zhou Ding dhe zv.ministrja Megi Fino

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:53
Kina bëhet vendi i 116 që mund të lëvizim pa viza, ja sa 'e fortë' është pasaporta shqiptare!

Pas 30 ditësh shqiptarët do të mund të udhëtojnë pa viza në Kinës. Por në sa vende mund të lëvizin lirshëm qytetarët shqiptarë? Indeksi i pasaportave Henley ndërton një renditje origjinale të autoritetit të secilës prej 199 pasaportave të ndryshme të botës sipas numrit të destinacioneve në të cilat zotëruesit e tyre mund të kenë akses pa një vizë paraprake.

Shqipëria këtë vit u rendit në vendin e 93-të pasi me anë të pasaportës tonë mund të shkohet në 116 vende, duke i shtuar edhe Kinën.