Shqiptarët janë sot komuniteti më i madh i të huajve që jetojnë në Alto Adige, në veri të Italisë. Të dhënat e fundit statistikore tregojnë se në këtë provincë jetojnë gjithsej 57.884 shtetas të huaj, rreth 10,7% e popullsisë.
Mes tyre, shqiptarët zënë vendin e parë me 7.127 persona. Pas tyre vijnë gjermanët, pakistanezët dhe rumunët.
Numri i të huajve në këtë zonë është rritur ndjeshëm në dy dekadat e fundit. Që nga fillimi i viteve 2000, prania e tyre pothuajse është katërfishuar dhe sot përqindja e tyre është më e lartë se mesatarja kombëtare në Itali.
Shumica e të huajve jetojnë në qytetet kryesore. Bolzano është qendra me më shumë banorë të huaj, rreth 15.877 persona, ndërsa pas saj vijnë Merano dhe Bressanone.
Megjithatë, përqindja më e lartë e të huajve shihet në disa komuna të vogla përgjatë korridorit të Brennerit. Në Fortezza pothuajse një në tre banorë është i huaj, ndërsa përqindje të larta ka edhe në Ponte Gardena dhe Brennero.
Statistikat tregojnë edhe një ndryshim të madh në strukturën e moshës. Të huajt janë dukshëm më të rinj se popullsia italiane. Mosha mesatare e tyre është 37,6 vjeç, ndërsa te italianët arrin 44,8.
Edhe lindjet janë më të larta në komunitetin e huaj. Vitin e fundit janë regjistruar 613 fëmijë të lindur nga prindër të huaj dhe norma e fertilitetit arrin 2,2 fëmijë për grua, shumë më e lartë se ajo e grave italiane.
Në Alto Adige jetojnë njerëz nga 149 vende të ndryshme. Rreth 60% e tyre vijnë nga Europa, ndërsa pjesa tjetër nga Azia dhe Afrika.
Rritja e këtij komuniteti lidhet kryesisht me migracionin. Vetëm gjatë vitit 2024 janë regjistruar mbi 7 mijë hyrje të reja, ndërsa në 25 vitet e fundit rreth 29 mijë të huaj kanë marrë shtetësinë italiane dhe janë bërë pjesë e komunitetit vendas.
Komente










