Lufta kundër korrupsionit dhe mbështetja për SPAK-un ishin në qendër të raportimit të kandidatit të Presidentit për ambasador të SHBA-ve në Shqipëri, Eric Wendt, përpara Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë në Senatin amerikan. Ai e cilësoi SPAK si një institucion të pavarur dhe apolitik dhe vlerësoi bashkëpunimin me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit.

***

Lufta Kundër Korrupsionit do të jetë një nga prioritetet kryesore të Eric Wendt, kandididati për ambasador në Shqipëri, i nominuar nga Presidenti Donald Trump.

Gjenerali me një eksperiencë 34-vjecare në ushtrinë amerikane, raportoi prioritetet e tij përpara Komitetit të Jashtëm në Senatin Amerikan. Lufta kundër korrupsionit dhe trafikut ndërkombëtar të drogës, mbante vendin e parë, nëse ai do të konfirmohet në detyrë si ambasadori i ardhshëm i SHBA-ve në Tiranë.

"Prioritetet e mia kryesore do të jenë mbrojtja e qytetarëve amerikanë dhe avancimi i interesave amerikane. Mbështetja ndaj Shqipërisë në vazhdimin e luftës kundër korrupsionit, si edhe kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe trafikut të drogës të lidhur me kartelet latino-amerikane të drogës, do të ndihmojë për ta bërë Amerikën dhe Shqipërinë më të sigurta",- tha Wendt.

Ëendt u pyet specifikisht mbi rolin dhe punën e SPAK, të cilën e vlerësoi si një strukturë të rëndësishme jo politike. 

“Prokurorët i nënshtrohen një kontrolli të kujdesshëm, përfshirë edhe testin e poligrafit. Ata kanë hetuesit e tyre specialë dhe Byronë Kombëtare të Hetimit. Nëse konfirmohem, do të shtyj përpara dhe do të mbështes punën e tyre të papolitizuar. Ata kanë komunikim të rregullt me SHBA-në. Puna e tyre do të jetë kritike, për sa kohë që mbeten të papolitizuar",- tha Wendt.

Një pjesë e debatit u fokusua edhe tek shqetësimet për interesat e njerëzve pranë Presidentit Trump në Ballkan. Senatorë demokratë ngritën dyshime se persona të lidhur me Presidentin amerikan mund të përfitojnë nga marrëveshje biznesi në rajon, përfshirë edhe në Shqipëri.

“Nuk jam në dijeni të investimeve personale të familjes Trump në Shqipëri, por nëse ka pyetje mbi ato ndërveprime, do t’ju drejtoja tek ata. Detyra ime si ambasador i SHBA-së është të lehtësoj bizneset amerikane, të gjitha bizneset amerikane pa trajtim preferencial apo diskriminues bazuar në personalitete. Detyra ime është të sigurohem që gjërat bëhen në mënyrën e duhur, që sundimi i ligjit respektohet dhe që fusha e lojës është e barabartë",- tha Wendt.

Gjatë raportimit të tij, Ëendt vlerësoi me superlativa shqiptarët referuar bashkëpunimit që ka patur me trupat shqiptare të misioneve ushtarake në NATO dhe në Afganistan.

“Forcat speciale shqiptare mishërojnë shpirtin luftarak të heroit shqiptar Skënderbeu dhe vetë populli shqiptar është krenar, punëtor dhe mikpritës",- tha Wendt.

Më 13 prill Presidenti Trump, propozoi emërimin e gjeneralit në pension Eric Ëendt si ambasador i ri amerikan në Shqipëri. Gjatë më shumë se 34 viteve shërbim aktiv, ai ka mbajtur disa pozicione të larta komanduese dhe ka drejtuar organizata me deri në mijëra personel ushtarak, civil dhe ndërinstitucional.

Shqipëria nuk ka një ambasador të SHBA-së që prej largimit të Yuri Kim në vitin 2023. Një nominim i mëparshëm nga Joe Biden për David Kostelancik nuk u miratua nga Senati, ku pritet të kalojë edhe kandidatura e Eric Wendt.

Fjala e plotë e Eric Wendt

Kryetar Risch, Anëtare e Rangut Shaheen dhe anëtarë të komitetit, jam i nderuar dhe mirënjohës ndaj Presidentit Donald Trump për besimin që ka treguar ndaj meje me këtë nominim për postin e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. 

Për më shumë se 34 vite, i kam shërbyer Shteteve të Bashkuara të Amerikës si ushtarak aktiv. Kam kaluar katër vite e gjysmë në këmbësori dhe 30 vite si Green Beret. Gjatë kësaj periudhe, kam qenë i caktuar për dy vite pranë Departamentit Amerikan të Shtetit, ndërsa drejtoja një koalicion me tetë vende si Koordinatori Amerikan i Sigurisë për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez. Në atë detyrë, operoja çdo ditë si pjesë e Ambasadës Amerikane në Jerusalem, duke raportuar drejtpërdrejt te Sekretari Amerikan i Shtetit.

 Që prej largimit nga shërbimi ushtarak, kam pasur privilegjin të jap mësim për komandën dhe lidershipin në universitetin tim pasuniversitar alma mater, Naval Postgraduate School në Monterey.

 Sot, bashkëshortja ime ndodhet jashtë vendit, në Okinaëa, së bashku me dhëndrin tonë, kapiten në Forcat Ajrore të SHBA-së, si edhe me vajzën dhe mbesën tonë, për të ndihmuar në kujdesin për një tjetër mbesë që sapo ka ardhur në jetë.

 Djali ynë, toger i parë në Ushtrinë Amerikane dhe parashutist në Divizionin e 82-të Airborne, ndodhet ulur pas meje. Ai dhe bashkëshortja e tij po i shërbejnë vendit ndërsa janë të stacionuar në Fort Bragg.

 Ne jemi një familje që e do Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jemi mirënjohës për mundësinë për t’i shërbyer një vendi kaq të jashtëzakonshëm.

 Si Komandant i Forcave Speciale të NATO-s, trupat speciale shqiptare ishin pjesë e komandës sime dhe kam punuar me ta në terren në Shqipëri. Në Afghanistan, kam shërbyer si Zëvendëskomandant i një komande rajonale ku bënin pjesë edhe trupat shqiptare.

 Kam vërejtur se forcat speciale shqiptare mishërojnë shpirtin luftarak të heroit shqiptar Skanderbeg dhe se vetë populli shqiptar është krenar, punëtor dhe mikpritës.

Nëse konfirmohem, prioritetet e mia kryesore do të jenë mbrojtja e qytetarëve amerikanë dhe avancimi i interesave amerikane.  Nëse konfirmohem, në post do të përdorim katër linja veprimi ndërsa vlerësojmë rrugën tonë përpara për të zhvilluar më tej planin e Ambasadës për vendin.

 Linja e parë do të eksplorojë mënyra për ta bërë Amerikën më të sigurt. Mbështetja ndaj Shqipërisë në vazhdimin e luftës kundër korrupsionit, si edhe kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe trafikut të drogës të lidhur me kartelet latino-amerikane të drogës, do të ndihmojë për ta bërë Amerikën dhe Shqipërinë më të sigurta.

 Së dyti, do të punojmë për ta bërë Amerikën më të mbrojtur. Këto veprime do të përfitojnë gjithashtu sigurinë shqiptare. Do të punoj me përkushtim për të mbështetur progresin e Shqipërisë drejt Marrëveshjes së Samitit të NATO-s në Hagë 2025 për të rritur në mënyrë të menduar shpenzimet për mbrojtjen në 5% të PBB-së deri në vitin 2035, duke mbështetur njëkohësisht rritjen e kapaciteteve kibernetike të SHBA-së dhe Shqipërisë dhe duke shqyrtuar iniciativa me përfitim të ndërsjellë në fusha të ndryshme ushtarake.

 Së treti, fokusi ynë do të jetë ta bëjmë Amerikën më të begatë. Këto përpjekje do të sjellin njëkohësisht përfitime edhe për prosperitetin e Shqipërisë. Ndërsa sektorët shqiptarë të inteligjencës artificiale, energjisë, infrastrukturës, minierave dhe sektorë të tjerë ekonomikë zhvillohen, bizneset dhe investitorët amerikanë duhet të përballen me kushte të barabarta kontraktuale dhe ligjore.

 Së katërti, fokusi ynë do të jetë vetë posti diplomatik, duke përfshirë një linjë kyçe përpjekjeje që unë e quaj “faktorët njerëzorë”, e cila do të synojë të përdorë mënyra standarde dhe krijuese për t’u kujdesur për pjesën më të vlefshme të postit — njerëzit e tij — si publikisht dhe në karrierat e tyre profesionale, ashtu edhe përmes informacioneve që ata janë të gatshëm të ndajnë privatisht dhe personalisht.

 Në përfundim, nëse konfirmohem, pres me padurim të bashkëpunoj me anëtarët e këtij komiteti dhe partnerët tanë në Shqipëri për të arritur këto objektiva të rëndësishëm. Dhe mirëpres çdo pyetje që mund të keni.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:45
Kandidati për ambasador amerikan komenton investimet e familjes Trump në Shqipëri: Të zbatohen ligji dhe kushtet e barabarta

Gjatë raportimit në Komitetin e Jashtëm të Senatit amerikan, kandidati për ambasador amerikan në Tiranë, i propozuar nga Donald Trump, u pyet edhe për investimet e familjes Trump në Shqipëri. 

Senatori demokrat, Chris Murphy, e pyeti Wendtin nëse do të angazhohej që Ambasada amerikane në Tiranë të mos favorizojë biznese të lidhura me presidentin amerikan, Donald Trump, familjen apo aleatët e tij. Murphy përmendi disa raste në rajon, përfshirë projektin e propozuar për ndërtimin e hotelit Trump në Beograd, apo ndërtimin e një gazsjellësi në rajon “nga aleatë të Trumpit”.

Senatori tha se ka edhe një rast në zhvillim në Shqipëri, ku, sipas tij, disa konsulentë politikë të presidentit amerikan “po fitojnë miliona” duke këshilluar opozitën në Shqipëri.

"Tani po shfaqet edhe një histori në Shqipëri ku disa nga konsulentët politikë të Presidentit po fitojnë miliona duke këshilluar opozitën. Shqipëria është një vend që ka bërë progres kundër korrupsionit, por shqetësohem se diplomatëve tanë në rajon po u kërkohet të lehtësojnë kontrata që nuk janë në interesin më të mirë të Shteteve të Bashkuara, por në vend të kësaj pasurojnë Presidentin, familjen e tij dhe bashkëpunëtorët e tij" tha Murphy

 Në përgjigjen e tij, Wendt tha se puna e tij do të jetë të ndihmojë bizneset amerikane pa trajtime preferenciale apo diskriminuese. Ai tha se detyra e tij është të zbatohet shteti ligjor dhe kushtet e garës të jenë të barabarta

““Nuk jam i njohur me investimet personale të familjes nc Shqipëri, por nëse ka pyetje për ato ndërveprime, do t’ju drejtoja tek ata. E di që puna ime si ambasador i SHBA-së është të ndihmoj bizneset amerikane — të gjitha bizneset amerikane — pa trajtim preferencial apo diskriminues bazuar te individë të caktuar. Detyra ime është të sigurohem që gjërat të bëhen në mënyrën e duhur, që të zbatohet shteti ligjor dhe që kushtet e garës të jenë të barabarta. Sa i përket korrupsionit, jam dakord që Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nga sa kam lexuar, ka qenë shumë efektive. Pres me padurim të jem në terren për të kuptuar më mirë çfarë po ndodh dhe çfarë nuk po funksionon. Mendoj se shprehja që përdorët ju — ‘të sigurohemi që kushtet e garës janë të barabarta’ — është ajo që ka më shumë rëndësi. Sepse aktualisht nuk duket se ka barazi. Duket sikur, nëse je mik i Presidentit, merr avantazhe, madje edhe nga ambasada, për të shtyrë përpara marrëveshje biznesi. Sigurisht, puna juaj është të mbroni interesat amerikane, por ne duam të sigurohemi që çdo biznes amerikan — jo vetëm ata që kanë lidhje me Presidentin — të ketë një mundësi të ndershme për të bërë biznes në Ballkan.”, tha ai.

Ora 17:38
'Shqipëria ka rol të rëndësishëm në NATO' Wendt rendit prioritetet në Senat: Shpenzimet e mbrojtjes të rriten në 5% të PBB-së deri në 2035

1779291242_ericwendt.jpg

Kandidati i presidentit amerikan Donald Trump për ambasador në Tiranë, Eric Wendt, deklaroi më tej se një nga prioritetet kryesore të tij  do të jetë mbështetja e Shqipërisë në kuadër të NATO-s dhe rritja e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Sipas tij, Shqipëria do të duhet të rrisë shpenzimet e mbrojtjes në 5% të PBB-së.

“Do të ketë përfitime edhe siguria në Shqipëri. Do të punoj me gjithë shpirt që të bëhet progresi i Shqipërisë, drejt samiti të NATO-s. Do të rriten shpenzimet e mbrojtjes deri në 5% në 2035. Do të rritet siguria kibernetike në të dyja vendet. E treta, do të fiksohemi në bërjen e Amerikës më të zhvilluar. Në këtë rast do të përfitojë edhe Shqipëria në energji, në miniera dhe në sektorë të ndryshëm ekonominë. Investitorët amerikanë duhet që të kenë më pak çështje ligjore dhe e katërta do të përqendrohemi në çështjet kryesore, që është siguria dhe njerëzit" tha Wendt. 

Ora 17:34
Projekti i Porto Romano, Wendt: Pikë kyçe ushtarake për NATO-n dhe forcat amerikane

1779291268_ericëendt.jpg

Gjatë raportimit të tij në Komitetin e Jashtëm të Senatit, kandidati i presidentit amerikan Donald Trump për ambasador në Tiranë, Eric Wendt,ndaloi edhe te projekti i Porto Romanos, duke e cilësuar atë një pikë kyçe për NATO-n dhe forcat amerikane.

“Porto Romano është një nga portet kyçe atje. Në të ardhmen, me ambiente të sigurta për ngarkesat dhe integrimin me Korridorin VIII Pan-Europian, pajisjet ushtarake mund të qarkullojnë në mënyrë efikase. Kjo do të përfitonte NATO-n dhe potencialisht edhe bizneset amerikane që ndihmojnë në përmirësimin e porteve dhe infrastrukturës." tha ai. 

Ora 17:24
‘SPAK apolitik’, kandidati për ambasador i SHBA në Tiranë: Do mbështesim pavarësinë e tij

1779288181_ericwendt.jpg

Gjatë fjalës së tij para Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senatin amerikan kandidati për ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri Eric Wendt, u pyet edhe për rolin e SPAK. Wendt vlerësoi punën e Prokurorisë së Posaçme, duke e quajtur një strukturë të pavarur dhe apolitike dhe theksoi se do të angazhohet për të çuar para punën në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai shtoi se do të mbështesë pavarësinë e SPAK.

“SPAK-u është, nga gjithçka që kam lexuar. Në vizitat e mia të mëparshme në Shqipëri, nuk kam ndërvepruar me ta. Kam ndërvepruar me ushtarakë dhe me njerëz të zakonshëm në Shqipëri. SPAK-u, nga gjithçka që kam lexuar, ka qenë një organizatë shumë e vlefshme. Ka qenë apolitike. Ka qenë e pavarur. Prokurorët që hyjnë në SPAK i nënshtrohen një procesi shumë të kujdesshëm verifikimi, duke përfshirë edhe testimin me poligraf.

Ata mbikëqyren nga IMO, Organizata Ndërkombëtare e Monitorimit, me europianë dhe amerikanë. Ata kanë organin e tyre hetimor me NBI-në. Ata janë Byroja Kombëtare e Hetimit. Kanë zyrën e tyre të posaçme të prokurorisë me SPO-në që ndodhet aty, dhe gjykatat e tyre të posaçme.

Dhe janë të sanksionuar në nenin 148 të Kushtetutës së Shqipërisë. Dhe kështu, nëse konfirmohem, sigurisht që mund të angazhohem për të shtyrë përpara dhe për të mbështetur vazhdimësinë e operacioneve të tyre apolitike dhe të pavarura.

Ju përmendët gjithashtu organizatat kriminale transnacionale kundër të cilave ata po punojnë. Ata kanë qenë të paçmueshëm. Gjithçka, sërish, që kam lexuar për ta, shkëmbimi i informacionit të tyre me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit, ata janë në Tirana, me Departamentin e Drejtësisë, FBI-në, përfaqësinë e DEA-s që ndodhet aty, ka qenë pa probleme. Ka qenë transparent.

Dhe më është thënë në SHBA, dhe sërish, duke lexuar për këtë, se kjo ka rezultuar në ndjekje penale kundër elementëve kriminalë në Shtetet e Bashkuara, në qytete amerikane, dhe gjithashtu, relativisht së fundmi, në një sekuestrim prej shumë tonësh kokaine që vinte nga Paraguaji. Pra, vetëm për ta përmbledhur, mendoj se puna e tyre në këto fusha është kritike, për sa kohë që ata mbeten apolitikë dhe të pavarur.

Dhe gjithashtu mendoj se ai efekt mbi mundësitë e biznesit amerikan me zbatimin e ligjit kontraktor do të ndihmojë sigurinë dhe transparencën e tenderëve. Dhe do të ndihmojë në krijimin e kushteve të barabarta për bizneset amerikane në Shqipëri”, tha ai.

U.D/K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Pali: 20/05/2026 22:01

    Nje gje eshte mese e sigurt: qe nga terrorizmi, prioriteti eshte krimi i organizuar dhe korrupsioni si kercenimi nr.1 me Shqiperi. Kuptohet, ai i opozites ose kecit qe i trubullon ujtin unlit ne malore….

    Përgjigju
  • Rama 4: 20/05/2026 19:58

    Sa per informancion kryeministri ka te drejte ta terheqe cdo ambassador te huaj. Pra Po te doje e largon Rama dhe kerkon ambassador tjeter. Amerika ka marr fund si shtet sherif ! Ne librat diplomatik ambassadori sherben si ure per rritje investime ! Asnje investim as kendej as shqiptar andej ndaj duhet pare kjo puna e Amerikes sepse kujton se eshte perandori ne fakt eshte thjehst nje ish koloni angleze me rob shume (popull shume ) ahaha Epirus Nova

    Përgjigju
    • Deni: 20/05/2026 23:17

      Koment i goditur!

  • Sondazhi i ditës: 19 Maj, 10:36

    Sylvinho e mbyll me Kombëtaren, si e vlerësoni punën e trajnerit brazilian?