TIRANE-Mbledhja e djeshme mes dy qeverive, asaj shqiptare dhe të Kosovës, e cila me të drejtë u konsiderua si një mbledhje historike për gjithë shqiptarët, u mirëprit edhe nga forcat politike në të dy vendet si dhe më Maqedoni. Në një prononcim, shefi i Kabinetit të kryetarit Ali Ahmetit, kreut të Bashkimit Demokratik për Integrim, Artan Grubi, ka përshëndetur takimin e përbashkët të dy qeverive shqiptare në Prizren. Ai ka uruar që sa më shpejt të realizohen në praktikë të gjitha pikat e bashkëpunimit si dhe shumë të tjera që do të lindin si nevojë në përpjekjet për ta lehtësuar unifikimin e hapësirës shqiptare.

Grubi gjithashtu ka folur edhe për mbledhjet e qeverisë së Maqedonisë me ato të Shqipërisë dhe Kosovës. “Mbledhjet midis qeverisë së Maqedonisë më atë të Kosovës dhe të Shqipërisë u shtyen për arsye të zgjedhjeve në Tiranë dhe Prishtinë, por jam i bindur që do të mbahen shumë shpejt dhe që do të kontribuojnë në përafrimin edhe më të madh të marrëdhënieve tona”, shtoi Grubi. Edhe zëvendës kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Musa Xhaferri, ka mirëpritur këtë mbledhje duke e quajtur historike dhe duke shprehur bindjen që takime të tilla do të mbahen së shpejti edhe me Qeverinë e Maqedoni.

Por kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Mehdu Thaçi ka shprehur rezervat e tij, ku e ka konsideruar këtë mbledhje si marketing politik. Ai është shprehur i revoltuar që kryeministri Rama dhe Thaçi janë fokusuar vetëm në gjendjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ndërsa kanë anashkaluar pa thënë asnjë fjalë për 1 milion shqiptarët e Maqedonisë. “Nëse them se jemi për zgjedhje të parakohshme parlamentare, menjëherë do të më thonë se për një gjë të këtillë jam dakorduar me VMRO-DPMNE-në. Nga ana tjetër, gjendja në vend është e keqe dhe pothuajse pa dalje, ndërsa i këtillë është edhe opinioni i BDI dhe kryetarit të partisë Ali Ahmeti, kështu që propozimi im për tejkalimin e kësaj gjendje është demisionimi i BDI dhe Ahmetit”, tha Thaçi.

Pacolli
“Unë jam i lumtur që prej momentit kur kam dëgjuar për këtë mbledhje. Falenderoj kryeministrat, atë të Shqipërisë dhe atë të Kosovës. Tashmë janë pjekur kushtet për bashkimin ekonomik shqiptar. Ky është realiteti. Arbën Xhaferri ishte një frymëzim i rëndësishëm për mua”, ishte komenti i zv.kryeministrit Behxhet Pacolli lidhur me mbledhjen e djeshme të dy qeverive. Ai theksoi idenë se “në mbledhjet e ardhshme do të diskutojmë tema konkrete dhe ëndrrat që po bëhen realitet që Shqipëria dhe Kosova të bashkohen ekonomikisht, të kenë hekurudha të përbashkëta, të kenë një sistem të përbashkët energjitik, etj dhe në të ardhmen pse jo edhe një siguracion të përbashkët për gjithë shqiptarët”. Ndërkohë që për ish-misnitrin e Jashtëm dhe ish-deputet të PD, Tritan Shehu ky takim ishte një ngjarje pozitive.

“E kam thënë dhe para dy ditësh, është një ngjarje pozitive. Ka shumë hapësira për të zgjeruar marrëdhëniet ekzistuese midis dy vendeve tona. Ka shumë fusha e sektorë të tjerë, që mund të njësohen midis dy vendeve tona për të vazhduar zgjerimin e bashkëpunimit tonë. Gjithmonë brenda standarteve europiane e në përmbushje të detyrimeve tona në rrugën e integrimit. Marrëdhëniet midis dy vendeve tona as nuk fillojnë sot dhe as nuk hyn sot në një "epokë të re". Një mbledhje, qoftë dhe e përbashkët, është gjthmonë një mbledhje. Marëveshjet e nënshkruara aty ishin veçse disa marrëveshje. E ritheksoj pozitive kjo. Por nqs do të flitet për "epoka të reja", ato lidhen veçse me ngjarje të mëdha si ishin Çlirimi, Pavarësia e Kosovëës. Më tej pa dyshim këtu përfshihet ndërtimi i Autostradës, që me të drejtë quhet "Rruga e Kombit"”, ka thënë Shehu.
 

Shkrimi u publikua sot (12.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)