"Shqiptarët vriten nga gjaknxehtësia" 
 Selami: Amnisti 3 mujore për armët

 Selami: Amnisti 3 mujore për armët">
TIRANË - Deputeti i LSI-së, Shkëlqim Selami, kërkon nga qeveria dhe kuvendi të mundësojnë përmes një ligji një amnisti për armët, në mënyrë që shqiptarët t’i dorëzojnë ato. Në një intervistë për Shqiparja.com, deputeti i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, shprehet se shqiptarët sot po vriten nga gjaknxehtësia dhe kudondodhja e armëve, pas çdo sherri banal. Selami propozon që pas përfundimit të kësaj amnistie, Kodi Penal të ashpërsohet, që personat të cilët kapen me armë, të shkojnë menjëherë në burg për 3 vjet, pa pasur mundësi të kalojnë në gjykim, për tu shmangur nga drejtësia.  

Sa i takon bashkëpunimit në bazë mes PS-së dhe LSI-së, deputeti i Vlorës, tha se në këtë qark, bashkëpunimi është shumë i mirë. Sipas Selamit, janë ndërruar vetëm drejtorët e institucioneve, por specialistët nuk janë lëvizur në asnjë rast për motive politike.

Z. Selami, viti 2016 ka nisur me një sërë krimesh në familje por edhe të krimit të organizuar. Si deputet i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, si e shikoni zgjidhjen e kësaj çështjeje?
Në vitin 2016 jemi hasur më një sërë veprash të rënda penale ku është regjistruar një numër i lartë vrasjesh. Unë e kam diskutuar me deputetë të tjerë, por edhe me Ministrin e Brendshëm dhe atë të Drejtësisë, dhe ne jemi në kushtet kur duhet të bëjmë një ligj të veçantë. E para, duhet bërë një amnisti për mbledhjen e armëve, sepse pas vitit 1997 armët janë të gjitha në duart e qytetarëve.

Ne duhet të parandalojmë ngjarjet. Jemi qytete me një rrugë kryesore ku na duhet të parandalojmë atë që quhet 5 minutëshi i shqiptarëve. Nëse tjetri e ka armën në shtëpi, e bën krimin. Nëse nuk e ka, nuk e bën atë. Ndaj duhet që patjetër të bëjmë një amnisti për një afat kohor 2-3 muaj, që qytetarët të dorëzojnë të gjitha armët. Kjo pastaj të shoqërohet edhe me një ndërhyrje në Kodin Penal, që ai i cili kapet me armë, të mos kalojë më në gjykata e prokurori, ku loz ping pong me policinë e të gjitha, por menjëherë pas verifikimit nga specialisti nëse arma është plastike apo luftarake, mbajtësi i saj të shkojë menjëherë në burg nëse është luftarake. Duhet parë pastaj me specialistët që dënimi të jetë sa më i vogël, psh. 3 vjet të menjëhershëm.

Por kjo është për tu parë. Veç të tjerave duhet të avancohet edhe për armëmbajtjen në shtëpi. Nëpër shtëpi ka shumë armë. Ligji që unë propozoj duhet të funksionojë në mënyrë të tillë, që nëse ka armë dikush në shtëpi, kryefamiljari të shkojë menjëherë në burg. Por ne si Komision Sigurie, politika dhe shteti, duhet të heqim armët nga duart e kriminelëve. Ata i kanë armët nëpër duar, dhe si pasojë e tyre, ka dhe shumë qytetarë të tjerë të ndershëm që i mbajnë armët si pasojë e frikës së atyre të tjerëve. Janë qytetarë të ndershëm të cilët në kushte normale nuk do ta shikonin armën edhe kur të dilnin në pension.

Dhe sot e mbajnë për këtë arsye, sepse disa të tjerë kanë armë në shtëpi. Pra, së pari duhet t’jua heqim armën të gjithë atyre “halabakëve” që marrin nëpër këmbë jetën e njerëzve, dhe bëjnë presione. Duhet të futemi në atë psikologjinë e shqiptarit. Nëse tjetri e ka armën, ai e bën vrasjen. Nëse nuk e ka, nuk e bën. Dhe sikur të bëhet një sherr spontan, futet miku e shoku, dhe zgjidhet sherri. Në momentin që është arma, krimi bëhet. Nuk ka rëndësi kush e bën krimin, krimineli apo i ndershmi gjaknxehtë. Kemi hequr dy individë nga familja, një ikën në varr e një në burg të përjetshëm. Dhe çfarë kemi zgjidhur? Asgjë.  Prapë kosto.

Sa i besueshëm është një proces i tillë? Pra, sa shanse ka që ai të bëhet?
Absolutisht që bëhet, dhe që armët ju hiqen. Me besim absolut dhe me një vullnet të mirë politik, patjetër që bëhet. Bëhet sikundër e them unë. Presim 3 muaj. Kush ka armë e dorëzon. Dorëzimi është papërgjegjësi. Nuk shënohet as ku e ka blerë, as ku e ka gjetur, e as ku e ka vjedhur. Në momentin që ky afat skadon, nuk tolerohet askush. Për ata që janë vrasës me pagesë, shteti ka struktura të posaçme. Ne duhet të parandalojmë shumë gjëra të tjera. Nuk e ke më krimin në rrugë, në lokal, në shtëpi.

Kush është ai prind që do lërë më armën në shtëpi që të bëjë një krim. Asnjë. Kjo është e padiskutueshme. Ky është një moment që ne duhet të ndahemi njëherë e përgjithmonë nga ngjarja. Duhet të bëjmë një amnisti për armët. Të ndryshohet Kodi Penal. Nuk jam për ngritje të dënimit, që të bëhet 10 apo 15 vjet armëmbajtja pa leje. Unë jam për një tre vjeçar që në momentin që kapet. Ama nuk ka më shans ai që të sorollatet a ti mbyllë punët në gjykata e prokurori. Vendimi merret për çerek ore kohë. Nëse arma rezulton luftarake, shkon në Peqin, zotëri.

Nuk kanë shans në këtë mënyrë të mbajnë më njerëzit armë. Unë këtë e them me bindje të plotë. Për të miturit që kapen me armë, unë jam për institucione të veçanta, ku edhe në burg të ketë mundësi të vijojnë shkollën, të marrë një zanat. Po ashtu të mos ketë kostot familja, se janë familje të varfra që harxhojnë për fëmijët në burg. Ai të mos i marrë familjes, por mundësisht çdo muaj të çojë 50 euro, nga puna që bën në burg, e në këtë mënyrë, të kuptojë gabimin.

A do t’i përktheni në një draft parlamentar këto iniciativa?
Unë do të bëj një nismë ligjore për këtë gjë, për t’i dhënë zgjidhje. Zgjidhja është hap pas hapi. Rendi dhe qetësia është A-ja. Nëse nuk e zgjidhim këtë, nuk kemi zgjidhur asgjë. 90 % e njerëzve që sot kanë armë, në kushte normale nuk do ta mbanin kurrë. Sot e mbajnë se 5 të tjerë në lagje apo në qytet e kanë.

Më lejoni të ndryshoj temën e bisedës. Si po funksionon koalicioni mes PS-së dhe LSI-së në terren. Konkretisht në qarkun e Vlorës si funksionon bashkëqeverisja, punësimet dhe investimet?
Ne po funksionojmë shumë mirë. Kemi bashkëpunuar në raport me marrëveshjen paraprake. Ne kemi drejtoritë tona, ata kanë të tyret. Ne funksionojmë si një e tërë, dhe nuk kemi bërë ndryshime drastike nëpër institucione. Ne jemi për të bërë ndryshime për ata persona që kanë probleme dhe nuk janë në ritmin e punës, e kam fjalën për drejtues përkatës. Për ata që janë specialistë të mirëfilltë, absolutisht, ne i kemi në punë, qoftë me PD-në, me Ballin, apo me këdo qofshin. Me Partinë Socialiste funksionojmë shumë mirë në qarkun e Vlorës.


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois