Deputeti Erion Braçe iu përgjigj Sali Berishës pasi ky i fundit tha në Kuvend se KLSH kishte konstatuar në 9 muaj ishin vjedhur dhe shpërdoruar rreth 900 milion euro, duke e cilësuar këtë të ‘barabartë e fondin vjetor të pagave apo pensioneve në vend’. Ai akuzoi gjithashtu se SPAK-u nuk ka marrë në shqyrtim referimet e KLSH.

Deputeti socialist, pasi mori fjalën në Kuvend tha se kryetari i KLSH, Arben Shehu është në Kuvend dhe mund t’i drejtohet e ta pyesë për një pretendim të tillë. Ai theksoi se në raportin e KLSH-së për vitin 2024 nuk evidentohet një vjedhje e tillë që pretendon Berisha, duke e konsideruar si gënjeshtar patologjik ose ka lajthitur.

“KLSH nuk operon mbi baza thashethemesh. Këtu u tha se KLSH ka zbuluar 900 milionë euro vjedhje në 9 muaj. Në cilin 9 mujor. Në këtë raport për 2024 nuk ka asnjë shifër të tillë dhe kryetari është këtu. Nëse është ndryshe, e lus ta thotë këtu. Janë zbuluar 900 mln euro vjedhje në 9 muaj apo jo? Në raportin e një viti më përpara, nuk përmendet një shifër e tillë. Kjo histori që e thoni këtu dhe më pas e xhirojnë portalet duhet të marrë fund, dhe ajo shifër dhe të tjerë njerëz i referohen si e vërteta absolute e thënë në sallën e parlamentit duhet të marrë fund. Me thënë të drejtën edhe në 2024 dhe 2023 ka mosrealizim jo vetëm të plan të investimeve por të buxhetit të shtetit në tërësi. Dhe të thuash se në 9 muaj, u vodhën 900 milionë euro, ku te paktën vetëm për investime kapitale janë përdorur 400 milionë, kjo të bën të mendosh për lajthitje ose gënjeshtar patologjik. E dyta u tha se SPAK ka refuzuar dhe nuk ka hetuar referimet e KLSH. Këtu e kemi kryetarin, në cilin rast referimet nuk janë marrë në evidencë nga SPAK? Një asnjë, zero. Mund ta pyesni dhe të të kthejë përgjigje këtu, cilën dosje të referuar nga KLSH ka refuzuar SPAK të hetojë. Dua të evidentoj paraardhësin, Robert Çekun se i kam vlerësuar këtu në sallë edhe punën profesionale, veçanërisht për auditimin e kontratës të rrugës Rrëshen-Kalimash,  e referuar në prokurori, e hetuar dhe e pagjykuar edhe sot e kësaj dite. Mbi të gjitha auditimin e segmentit sugorr nga kalimashi deri në morinë edhe ajo e pagjykuar. Por edhe mbikalimi te Casa Italia, e audituar, e referuar dhe e pagjykuar. Apo dy akset që la nam ajo qeveri apo dhe institucione në rrugën Levan-Tepelenë, apo Levan-Vlorë dhe të audituara dhe pa gjykuar. Dhe Bypassi i Fierit. Janë vepra që mbi to ecin ne tani, por t’i thërrasim pak jkujtesës se çfarë ka ndodhur me çdo qeveri.”, tha Braçe.


Lajmi kryesor:

KLSH në Kuvend: 159 auditime në 2024, nën 'lupë' Bankers e aksi Thumanë-Kashar! PD: Ministrat të japin llogari! Braçe: Shkrini FSDKSH