Sabina Sulaj është shqiptarja e cila ka humbur jetën në sulmet terroriste në Mynih të Gjermanisë, pasditen e kësaj të premte, ndërsa shoqja e saj Armela Segashi nga Kosova, është zhdukur. Lajmin e ka bërë të ditur nëna e Armelës, Nazmija, e cila ka pohuar se gjithsesi, e bija nuk është në mesin e 9 viktimave. Ndërkohë një thirrje për Armelën e ka dhënë edhe vëllai i Armelës Arbnori, të cilën thirrje ai e ka bërë në facebook.
 
Nëna e vajzës ka thënë që e bija ka qenë në qendrën tregtare Olympia në momentin kur ka ndodhur sulmi, ndërsa prej asaj kohe, të bijës i del telefoni i fikur. “Policia nuk na ka dhënë asnjë informacion. Djali im ka shkuar nëpër spitale për ta kërkuar”, ka pohuar ka thënë Nazmije Segashi për Gazetën kosovare Express. Ndërkohë policia gjermane në një konferencë për media ka thënë se emrat e të vrarëve nuk do të bëhen publikë derisa të njoftohen familjarët e tyre.
 
Njarja e rëndë ndodhi ditën e djeshme kur 3 sulme të njëkohshme të tre pika të ndryshme të qytetit Mynih në Gjermani shkaktuan vdekjen e 9 personave. Persona të armatosur hapën zjarr në Qendrën Tregtare "Olympia" në një dyqan të McDonald's, duke lënë të vdekur në vend tre persona, ndërsa disa të tjerë u plagosën në qendër të Mynihut si dhe një lagje të qytetit.
 
Sipas mediave gjermane, kanë qenë disa persona që kanë qëlluar me armë në brendësi të Qendrës Tregtare, të cilët menjëherë pas ngjarjes janë larguar në drejtim të metrosë së Mynihut, e cila në pak minuta u mbyll nga policia. Qendra tregtare e cila u sulmua nga terroristët është e ndërtuar në vendin ku ishte fshati olimpik për Olimpiadën e Mynihut në vitin 1972, gjatë të cilit u vranë 11 atletë izraelitë dhe 1 polic gjerman, pasi u morën peng nga një grup i armatosur palestinez.
 
Ndërkohë, nga një tjetër sulm me armë, në qendër të qytetit të Mynihut mësohet se kanë mbetur të vdekur tre persona. Bilanci mund të jetë edhe më i madh pasi autorët kanë hapur zjarr pranë një stacioni autobusi ku ka pasur një grumbull të madh njerëzish. Ndërsa në sulmin e tretë më armë të regjistuar pasditen e kësaj të premte në Mynih nuk dihet nëse ka viktima apo të lënduar.
 
Sulmi në Mynih të Gjermanisë, ka ndodhur pikërisht në të njëjtën datë kur ndodhi masakra në Norvegji nga neo-nazisti Breivik, i cili vrau 77 persona. Mediat botërore shkruajnë se kjo mund të mos jetë koincidencë, pasi njëri nga sulmuesit në Qendrën Tregtare para se të qëllonte me armë zjarri në drejtim të njerëzve, kishte thërritur “Unë jam gjerman, vafshin në djall të huajt”. Për shkak të këtyre lidhjeve, mendohet se sulmi i djeshëm është kryer nga neo-nazistë, edhe pse partia e ekstremit të djathtë në Gjermani ka dënuar ngjarjen.


Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com