Ilona Cenolli është përzgjedhur në Nova 111 List UK 2026, një nga vlerësimet më prestigjioze për profesionistët e rinj në Mbretërinë e Bashkuar. Programi, i organizuar nga Nova Talent, identifikon çdo vit 111 profesionistët më premtues nën moshën 35 vjeç në 11 sektorë kryesorë të ekonomisë, shkencës, teknologjisë, arsimit dhe jetës publike.

Përzgjedhja realizohet mes qindra aplikantësh nga e gjithë Mbretëria e Bashkuar dhe bazohet jo vetëm në arritjet akademike e profesionale, por edhe në potencialin për lidership, ndikimin shoqëror dhe kontributin afatgjatë në fushat përkatëse.

Ilona Cenolli është vlerësuar në kategorinë Social Impact, Research & Education, në njohje të punës së saj në bioetikë dhe neuroetikë, dy fusha që po marrin rëndësi gjithnjë e më të madhe në debatin global mbi inteligjencën artificiale, teknologjitë e reja, shkencat e trurit dhe të ardhmen e shëndetit publik.

Me formim dhe angazhim ndërkombëtar në kryqëzimin e shkencës, etikës dhe politikave publike, Ilona Cenolli përfaqëson një brez të ri profesionistësh që kontribuojnë në adresimin e disa prej sfidave më komplekse të kohës sonë. Përzgjedhja e saj në Nova 111 List UK vendos emrin e një tjetër shqiptareje në një platformë që evidenton liderët e ardhshëm dhe mendjet më premtuese të Mbretërisë së Bashkuar.

Ky vlerësim përbën jo vetëm një sukses personal, por edhe një moment krenarie për komunitetin shqiptar, duke dëshmuar se talenti dhe ekspertiza shqiptare po fitojnë gjithnjë e më shumë njohje në institucionet dhe rrjetet më prestigjioze ndërkombëtare.