Shqiptarja kandidate e PASOK flet
për A1 Report: Ndihmë emigrantëve

Shqiptarja kandidate e PASOK flet<br />për A1 Report: Ndihmë emigrantëve
Ina Panajoti, shqiptarja që kandidon me partinë greke PASOK, për të fituar një post deputeteje në parlamentin Grek thotë në një intervistë për A1 Report, se nëse zgjidhet do të ndihmojë emigrantët shqiptarë për të marrë nënshtetësinë.
 
Po ashtu sipas saj një problem tjetër është edhe ajo e fëmijëve shqiptarë që kanë lindur në Greqi dhe që në momentin e mbarimit të shkollës, nuk kanë të drejtë të qëndrojnë më në shtetin helen

“Dy gjëra janë problemet kyçe. Të sjellim përsëri në fuqi ligjin për marrjen e nënshtetësisë greke të cilën e kishim votuar ne në parlament si qeveria e PASOK-ut, e cila me ardhjen e Samaras në 2011 është ndërprerë. Në radhë të dytë, një problem shumë i madh është zgjidhja e problemeve që kanë fëmijët shqiptarë që kanë lindur këtu dhe që studiojnë këtu, sepse nga momenti që ata do të kryejnë studimet e tyre, nuk kanë më të drejtë të vazhdojnë të qëndrojnë në Greqi.” shprehet Panajoti

Kandidatja shqiptare për deputete në fqinjin helen sqaron se ka zgjedhur PASOK-un sepse në vitin 2009 qeveria e kryesuar nga Papandreu solli në fuqi ligjin për të marrë nënshtetësinë greke, çka solli përftime për emigrantët shqiptarë.

“Në 2009 kur PASOK-u u zgjodh në pushtet menjëherë votoi ligjin për nënshtetësinë e emigrantëve shqiptarë në Greqi, dhe shumë emigrantë të cilët jetonin dhe punonin në Greqi me dokumente të rregullta, përfituan nënshtetësinë greke. Megjithatë një pjesë e madhe e emigrantëve tanë nuk kanë marrë nënshtetësinë greke.” tha ajo

Ina Panajoti është larguar nga Greqi në moshën 15 vjeçare dhe është me origjinë nga Vlora. Panajoti premton që nëse zgjidhet në Partinë Socialiste, ajo do të jetë zëri i emigrantëve shqiptarë në Greqi. Zgjedhjet e ardhshme në shtetin helen do të mbahen të dielën e 25 janarit, ndërsa këto zgjedhje të parakohshme erdhën si rezultat i mos gjetjes së konsensusit nga ana e partive politike për zgjedhjen e Presidentit të ri.

Më poshtë intervista e plotë për A1 Report e Ina Panajotit:

Përse kandidoni me partinë e PASOK-ut dhe nuk kandidoni me partinë Demokracia e Re?

Panajoti: Në radhë të parë shumë faleminderit për mundësinë që më jepni mundësinë që të kontaktoj me shqiptarët, me bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Athinë dhe që të më njohin. Me PASOK-un sepse ishte partia e parë politike në Greqi që preku temën e emigracionit dhe të emigrantëve që banojnë prej vitesh në Greqi. Si temë u hap për herë të parë në vitin 2004 dhe menjëherë PASOK-u filloi të hapi dyert e saj dhe emigrantët, jo vetëm shqiptarë, por edhe emigrantë nga komunitetet e tjera, të marrin pjesë dhe të zgjidhen në mënyrë të barabartë në organet drejtuese të partisë. Ishte Partia e parë që të drejtat e njeriut i vuri në plan të parë. Deri atëherë problemi i emigracionit në Greqi, kishte të bënte vetëm me anën e sigurisë, ishte një problem me të cilin merreshin vetëm organet policore dhe asnjë gjë më tepër. Në 2009 kur PASOK-u u zgjodh në pushtet menjëherë votoi ligjin për nënshtetësinë e emigrantëve shqiptarë në Greqi, dhe shumë emigrantë të cilët jetonin dhe punonin në Greqi me dokumente të rregullta, përfituan nënshtetësinë greke. Megjithatë një pjesë e madhe e emigrantëve tanë nuk kanë marrë nënshtetësinë greke... shumë emigrantë kanë fituar të drejtën e votës, tashmë kemi të drejtë të vendosim kandidaturë për deputet dhe kemi dhe të drejtën të votojmë

Në qoftë se ju zgjidheni në parlament çfarë do t’i ofroni emigrantëve shqiptarë që jetojnë këtu në Greqi?

Panajoti: Dy gjëra janë problemet kyçe. Të sjellim përsëri në fuqi ligjin për marrjen e nënshtetësisë greke të cilën e kishim votuar ne në parlament si qeveria e PASOK-ut, e cila me ardhjen e Samaras në 2011 është ndërprerë. Në radhë të dytë, një problem shumë i madh është zgjidhja e problemeve që kanë fëmijët shqiptarë që kanë lindur këtu dhe që studiojnë këtu, sepse nga momenti që ata do të kryejnë studimet e tyre, nuk kanë më të drejtë të vazhdojnë të qëndrojnë në Greqi. Jam e mendimit që emigrantët që jetojnë në Greqi dhe që marrin pjesë në aktualitetin grek e që paguajnë taksa ashtu siç edhe grekët, duhet të kenë të drejtën të zgjedhin ata të cilët dëshirojnë ti përfaqësojnë. Qoftë në pushtetin lokal qoftë në parlamentin grek.
                                                
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Nico Williams s’ia del, Spanja e humbet për Ligën e Kombeve

Nico Williams s’ia del, Spanja e humbet për Ligën e Kombeve