47-vjeçarja shqiptare Adelina Sejdini, e cila bashkëpunoi me policinë italiane për të shkatërruar një grup mafioz që shfrytëzonte vajzat për prostitucion, është vetëvrarë, duke u hedhur nga ura. Gruaja, që më parë është shfrytëzuar si punonjëse seksi, denoncoi tutorët e saj në vitin 1996, kur ajo ishte vetëm 22 vjeçe.

Disa herë ajo kishte kërkuar që të mund të merrte nënshtetësinë italiane! Mediat italiane shkruajnë se të shtunën e kaluar ajo u vetëvra duke u hedhur nga një mbikalim hekurudhor. Kështu vdiq Adelina Sejdini, një ish-prostitutë e lindur në Durrës, e cila pati guximin të denonconte shfrytëzuesit e saj.

Falë denoncimit të saj, 40 persona u arrestuan dhe 80 të tjerë u raportuan, të gjithë i përkisnin mafies shqiptare që kontrollonte shfrytëzimin e prostitucionit në të gjithë Italinë.

E ftuar në mediat italiane më 3 nëntor ajo ka thënë: ‘Nëse kthehem në Shqipëri jam një grua e vdekur, kam frikë se mos më vrasin ata që kam denoncuar dhe janë arrestuar’.

Sejdini, 47 vjeçe, jetonte në Pavia dhe ishte e sëmurë me kancer, ndërkohë që shpesh herë ishte shtruar në spitalin San Matteo.

Pasi u arratis nga shfrytëzuesit e saj, ajo denoncoi organizatën dhe në vitet në vijim ajo punoi gjithashtu përkrah ‘City Angels’, për të ndihmuar vajzat e reja viktima të rrjetit të prostitucionit për t'u çliruar nga ajo skllavëri.

Ajo nuk donte më shtetësinë shqiptare, dhe nuk dëshironte të kthehej në vendin që la në vitin 1996, kur mbërriti në Itali në moshën 22-vjeçare. Ajo kërkonte me ngulm nënshtetësinë italiane.

Për të protestuar kundër burokracisë, në fund të tetorit ajo kishte vendosur të shkonte në Romë, pavarësisht shëndetit të dobët, me shpresën se do të mund të takohej me Presidentin e Republikës Sergio Mattarella ose të paktën disa zyrtarë të Ministrisë së Brendshme.

Më pas më 28 tetor ajo i vuri flakën vetes! Por gruaja shqiptare u shpëtua nga mjekët e urgjencës e më pas u transportua në spitalin Santo Spirito me djegie të rënda.

Gruaja tha: 'Kam aplikuar për një banesë publike, por dokumentet nuk përputhen më. Dhe nuk mund ta pranoj nënshtetësinë shqiptare, që nga momenti që më kanë shkruar kam makthe. Më mirë të vrisja veten'.

Ajo duhet të kthehej në Pavia, por vendosi të qëndronte në Romë. Por Adelina Sejdini nga Roma për në Pavia nuk u kthye më.... dhe të shtunën e kaluar u hodh nga një mbikalim hekurudhor.

Adelina Sejdini