ShBA - Çështja shqiptare në Maqedoni nuk është zgjidhur, subjektet politike shqiptare duhet të ndërrojnë kursin, ndërsa partia në pushtet duhet të mendojë për të iniciuar ndryshime kushtetuese, që do të avanconin pozitën e popullit shqiptar.
 
Këto janë disa nga  qëndrimet e shprehura në reagimin e Shoqatës Shqiptaro–Amerikane, në raport me mbledhjen e sotme të përbashkët midis qeverisë së Maqedonisë dhe Serbisë në Beograd.
 
“Të gjitha vijat politike dhe strategjitë prej një shekulli në qarqet antishqiptare në Beograd dhe Shkup kanë qenë sa më shumë për të vënë në kandar balancimin e çështjes shqiptare në Ballkan dhe për të krijuar problemin se ‘populli shqiptar është faktor destabilizimi në rajon dhe më gjerë’, për të shkuar edhe më tej, për të hutuar rrugën e diplomacisë ndërkombëtare karshi problemit të pazgjidhur shqiptar e të ndarë në pesë shtete”, thuhet në reagim.
 
Në reagim, gjithashtu kërkohet nga BDI, si subjekt që merr pjesë në qeveri, të bëjë publike platformën e saj për pjesëmarrjen në pushtetin ekzekutiv.
 
“Nuk e njohim marrëveshjen për koalicion mes Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit. A është e shkruar me dispozitat ligjore apo është e thënë me gojë? A më pranoni të bashkëqeverisim(?!). Përkatësisht me këtë duhet të deklarohet subjekti në koalicion, Ali Ahmeti dhe të kërkojë qëndrimin apo largimin nga ky koalicion, kur me platformën e ,”bashkëpunimit” në mes të dyja qeverive në këtë nivel të nismave të reja në rajon nuk tregojnë ditë të mira për stabilizimin e kësaj pjese të rajonit me viktimizimin e çështjes shqiptare”, vazhdon reagimi.
 
Më pas, Shoqata Shqiptaro–Amerikane kërkon avancimin e statusit të popullit shqiptar në Maqedoni, nëpërmjet ndryshimeve të reja në Kushtetutë.
 
“Në gjithë rrugëtimin e kolovajzës politike në Maqedoni kujtojmë se subjekti politik në koalicion të mendojë të hapë çështjen e të drejtës për avancimin e popullit shqiptar vërtetë si pjesë shtetformues përmes propozimit të ndryshimeve kushtetuese dhe të krijimit të vijat të reja të federalizmit si një nga format më të mira dhe të qëndrueshme për të mbajtur gjallë këtë vend”, thuhet ndër të tjera në reagimin e kësaj shoqate. /Radio Vati/

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)