TIRANË - Prej disa ditësh vëmendja e mediave është fokusuar në një vendim sekret që qeveria ka ndërrmarrë, përmes të cilit i kalon Partisë Demokratike Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë për ta shndërruar në selinë qendrore të saj. Zërat nga qeveria e re thonë se propozimi është bërë nga vetë kreu i ri i Partisë më të madhe opozitare në vend. Siç shihet edhe nga pamjet, edhe tabela e cila identifikonte më parë SHQUP-in, nuk është më.

Ky vendim i qeverisë, i cili vazhdon të mos shfaqet në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave, shkel hapur ligjin numër 8671. Sipas deputetëve të Partisë Socialiste, ky vendim kërkon miratimin e presidentit të Republikës, Ministrit të Mbrojtjes, si edhe firmën e Shefit të Shtabit të Ushtrisë, por ky i fundit mësohet se nuk ka miratuar asnjë shkresë të tillë.

Ndërkohë zëra të tjerë nga kabineti i qeverisë në ikje kanë nxjerrë një tjetër version që është diskutuar ditën e mërkurë në mbledhjen e ekzekutivit atë të kalimit të një nga katër katet e një godine të ushtrisë në funksion të Partisë Demokratike, por bëhet fjalë për Shtëpinë e Oficerëve në Fier.

Kjo gjë thellon edhe më shumë skandalin duke lënë të kuptohet se ky vendim është mbajtur i fshehtë jo vetëm për publikun, por edhe për pjesën tjetër të anëtarëve të kabinetit Berisha, duke u kthyer në një vendimarrje mes kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes në largim, Arben Imami. 

Shtëpia Qendrore e Ushtrisë pretendohet të jetë selia e pestë e të djathtëve. Ditët e para të krijimit të kësaj force politike, themeluesit e Partisë Demokratike, i zhvillonin mbledhjet e tyre në disa nga dhomat e qytetit Studenti dhe në shtëpinë e Gramoz Pashkos.

Në fund të dhjetorit 1990 u vendosën në një vilë dykatëshe në rrugën “Fortuzi”. Në shkurt të vitit 1991 PD-ja mori një tjetër godinë në rrugën e Kavajës. Shtëpia e Ushtrisë, e cila synohet nga demokratët është e pozicionuar pranë godinës së Parlamentit dhe është ndërtuar në kohën e regjimit komunist dhe ka nje hapësire shumë herë më të madhe se selia aktuale e PD-së, zyrat e së cilës janë rikonstruktuar së fundmi.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)