Dy persona janë shpallur në kërkim nga policia në Shkodër, në vijim të operacionit policor të koduar “Neonët”.
Këta persona kishin përshtatur banesën në lagjen “Ndoc Mazi”, për të kultivuar kanabis me pajisje elektrike që i furnizonin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Ndërkaq, 2 punonjës të OSHEE janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre dhe një shtetase tjetër, për moskallëzim krimi.
Policia ka sekuestruar 60 bimë kanabisi, 57 pajisje të ndryshme elektrike që shërbenin për kultivimin e tyre, 1 pistoletë sportive pneumatike, municion luftarak, 1 automjet dhe 4 celularë.
Njoftimi i policisë
Shkodër/Zbulohet një tjetër ambient i përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me llamba.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Neonët 6”. Shkon 10 numri i rasteve të kësaj veprimtarie kriminale, të goditura në kuadër të operacionit “Neonët”.
Shpallen në kërkim 2 shtetasit që dyshohet se kishin përshtatur banesën në lagjen “Ndoc Mazi”, për të kultivuar bimë narkotike me pajisje elektrike që i furnizonin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Procedohen penalisht 2 punonjës të OSHEE-së, për shpërdorim detyre, dhe 1 shtetase tjetër, për moskallëzim krimi.
Sekuestrohen 60 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 57 pajisje të ndryshme elektrike që shërbenin për kultivimin e tyre, 1 pistoletë sportive pneumatike, municion luftarak, 1 automjet dhe 4 celularë.
Në vijim të planit të masave për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, kanë ushtruar kontrolle intensive në ambiente të mbyllura, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, me pajisje elektrike, tharjes dhe përpunimit të tyre për shitje.
Si rezultat, u finalizua operacioni policor i koduar “Neonët 6”.
Në kuadër të këtij operacioni u shpallën në kërkim shtetasi A. V., 35 vjeç, banues në Shkodër, dhe një 16-vjeçar, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-B. C., 33 vjeç dhe G. A., 63 vjeç, të dy banues në Shkodër, punonjës të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim;
-E. H., 22 vjeçe, banuese në Pukë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë zbuluar një ambient (banesë) në lagjen “Ndoc Mazi”, që ishte përshtatur për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike kanabis. Nga kontrollet në këtë ambient, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 60 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 57 pajisje të ndryshme elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve e tyre dhe 4 celularë.
Gjithashtu, nga kontrolli në banesën e shtetasit H. M., 49 vjeç, ngjitur me banesën ku kultivoheshin bimët narkotike, i cili është ndaluar më datë 11.12.2025, si i dyshuar për disa vepra penale, u gjetën 1 pistoletë sportive pneumatike pa numër, municion luftarak dhe 1 automjet, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Vijon puna intensive për kapjen e 2 shtetasve në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.
Komente







