Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se Irani do të ishte “shumë i mençur” të arrinte një marrëveshje me SHBA-të, ndërsa flitet se presidenti Donald Trump po shqyrton mundësinë e një aksioni të ri ushtarak kundër Republikës Islamike.
Zëdhënësja për shtyp, Karoline Leavitt, deklaroi në një konferencë për media se Trump ende shpreson për një zgjidhje diplomatike lidhur me programin bërthamor të Teheranit.
Komentet e saj vijnë në një kohë kur SHBA po zhvendos një luftanije të dytë në rajon dhe një ditë pasi u raportua për përparime në bisedimet SHBA-Iran në Zvicër.
Mediat amerikane raportuan të mërkurën se Trump kishte diskutuar opsione sulmi me këshilltarët e tij dhe se një goditje mund të ndodhë që të shtunën. Verën e kaluar, ushtria amerikane kreu sulme ndaj tre objekteve bërthamore iraniane.
Trump ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar nëse do të sulmojë, dhe burime për CBS News thonë se diskutimet janë në zhvillim dhe situata mbetet fluide.
Leavitt u tha gazetarëve se ka “shumë arsye dhe argumente që mund të bëhen për një goditje ndaj Iranit”. Ajo iu referua sulmeve amerikane të qershorit, duke shtuar: “Irani do të ishte shumë i mençur të arrinte një marrëveshje me Presidentin Trump dhe administratën e tij.”
Megjithëse nuk dukej se kishte një përparim të madh nga bisedimet indirekte të së martës në Gjenevë, të dyja palët sinjalizuan se ishin bërë hapa në drejtimin e duhur.
Irani tha se ishte arritur një mirëkuptim me SHBA-të mbi “parimet udhëzuese” kryesore që do të kornizojnë përpjekjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mbi programin bërthamor të Teheranit. Ministri i Jashtëm, Abbas Araghchi, shtoi se ende mbetet punë për t’u bërë.
SHBA deklaroi se “u arrit përparim”, ndërsa ministri i Jashtëm i Omanit, Badr Albusaidi, vend që ndërmjetëson bisedimet, tha se negociatat “përfunduan me përparim të mirë” mbi objektivat e përbashkëta dhe çështjet teknike.
E pyetur për negociatat në Gjenevë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë tha se Uashingtoni dhe Teherani mbeten ende “larg njëri-tjetrit” për disa çështje kyçe.
“Mendoj se dëgjuat dje nga administrata dhe Departamenti i Shtetit se u bë njëfarë përparimi, por jemi ende shumë larg në disa çështje,” tha Leavitt. “Besoj se iranianët pritet të kthehen tek ne me më shumë detaje në javët e ardhshme, dhe presidenti do të vazhdojë të ndjekë zhvillimin e situatës.”
Leavitt refuzoi të shprehej nëse Izraeli do të përfshihej në vendimin amerikan.
Më herët gjatë javës, Irani tha se kishte arritur një mirëkuptim me SHBA-të mbi “parimet udhëzuese” kryesore për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mbi programin e tij bërthamor.
Irani ka deklaruar se dëshiron të përqendrojë diskutimet te programi i tij bërthamor dhe heqja e mundshme e sanksioneve ekonomike, ndërsa Uashingtoni ka sinjalizuar më parë se dëshiron që zhvillimi i raketave iraniane të jetë pjesë e çdo marrëveshjeje.
SHBA dhe aleatët e saj evropianë dyshojnë se Irani po lëviz drejt zhvillimit të një arme bërthamore, gjë që Teherani e ka mohuar vazhdimisht.
SHBA ka shtuar praninë e saj ushtarake në ujërat pranë Iranit, ndërsa imazhet satelitore tregojnë se Republika Islamike po forcon disa objekte të ndjeshme ushtarake.
BBC Verify ka konfirmuar vendndodhjen e aeroplanmbajtëses amerikane USS Abraham Lincoln, e pajisur me shkatërrues raketash dhe dhjetëra avionë luftarakë, pranë Iranit.

SHBA raportohet gjithashtu se ka dërguar USS Gerald R Ford, anijen më të madhe luftarake në botë, drejt Lindjes së Mesme. Ajo pritet të mbërrijë në rajon brenda tre javësh. Të gjitha forcat ushtarake amerikane të dislokuara në rajon pritet të jenë në vend deri në mesin e marsit.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, publikoi të martën në platformën X një imazh të gjeneruar nga inteligjenca artificiale të anijes Ford në fund të oqeanit.
“Presidenti amerikan thotë vazhdimisht se SHBA ka dërguar një anije luftarake drejt Iranit. Sigurisht, një anije luftarake është një pajisje e rrezikshme ushtarake,” thuhej në postimin e Khameneit. “Por më e rrezikshme se ajo anije është arma që mund ta dërgojë atë në fund të detit.”
Khamenei akuzoi gjithashtu SHBA-të se po përpiqet të paracaktojë rezultatin e negociatave, duke e quajtur këtë një veprim “të gabuar dhe të pamend”.
Garda Revolucionare Islamike iu përgjigj shtimit të pranisë amerikane duke nisur një stërvitje detare në Ngushticën e Hormuzit, e vendosur në Gjirin midis Omanit dhe Iranit, të hënën.
Ngushtica konsiderohet një rrugë ujore ndërkombëtare jetike dhe një korridor kyç për eksportin e naftës nga shtetet arabe të Gjirit.
Komente







