Shtetet e Bashkuara eliminojnë komandantin e ISIS-it, planifikonte rrëmbime të zyrtarëve

Shtetet e Bashkuara eliminojnë komandantin e ISIS-it, planifikonte rrëmbime të zyrtarëve

Dy ushtarakë amerikanë të forcave speciale të marinës SEAL

Planet e grupit terrorist Shteti Islamik për të rrëmbyer zyrtarë jashtë rajonit të Lindjes së Mesme dhe për t'i mbajtur ata me qëllim ushtrimin e ndikimit, shkaktuan një operacion amerikan gjatë të cilit u vra një prej organizatorëve të dyshuar të komplotit.

Komanda Qendrore amerikane konfirmoi të hënën vdekjen e Abd-al-Hadi Mahmud al-Haji Alit gjatë operacionit në Sirinë veriore, duke e përshkruar atë si drejtuesin që ishte përgjegjës për planifikimin e sulmeve në Lindjen e Mesme dhe në Evropë.

Konfirmimi i vdekjes së tij erdhi disa orë pasi një zyrtar amerikan, duke folur për Zërin e Amerikës në kushte anonimiteti për shkak të natyrës së operacionit, tha se trupi i drejtuesit të lartë ishte gjetur dhe se po i nënshtrohej testit të ADN-së për të konfirmuar identitetin e tij.

Dy luftëtarë të tjerë u vranë së bashku me të. Sipas komandës amerikane nuk pati asnjë civil të plagosur dhe forcat amerikane të përfshira në operacion nuk pësuan asnjë dëm.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, një organizatë opozitare me seli në Londër që monitoron luftën, raportoi se operacioni i forcave amerikane ndodhi para agimit në fshatin Suwayda, pranë qytetit Jarabulus, jo shumë larg kufirit me Turqinë.

Burimet i thanë kësaj organizate se forcat amerikane mbërritën me helikopter në orët e para të mëngjesit, duke filluar luftime të ashpra me luftëtarët e ISIS-it, që përfunduan vetëm pasi forcat amerikane lëshuan dy raketa mbi ndërtesën ku fshihej drejtuesi i ISIS-it.

Zëri i Amerikës nuk arriti t’i konfirmojë ngjarjet në mënyrë të pavarur.

"Ne e dimë se ISIS-i ruan dëshirën për të goditur përtej Lindjes së Mesme", tha në një deklaratë të hënën zëdhënësi i Komandës Qendrore, Kolonel Joe Buccino. "Ky operacion i jep një goditje të rëndësishme operacioneve të ISIS-it në rajon, por nuk e eliminon aftësinë e ISIS-it për të kryer operacione".

Njoftimet për komplotin e supozuar për të rrëmbyer zyrtarë në vende të tjera dhe sulmi amerikan për të penguar përpjekje të tilla, vijnë pasi shumica e vlerësimeve perëndimore për organizatën ISIS në Siri dhe Irak, të konsideruara ndonjëherë si bërthama e ISIS-it, kanë nënvlerësuar aftësitë e këtij grupi.

Vetëm muajin e kaluar, një zyrtar i lartë i sigurisë tha se një sulm ndaj Shteteve të Bashkuara nga ISIS-i ishte "pothuajse i paimagjinueshëm" për shkak të efektit të operacioneve antiterror nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet partnere./VOA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve