Shteti i Illinois SHBA shpall 28 Janarin si ditën e lirisë, në nder të shkrimtarit shqiptar Visar Zhiti

Shteti i Illinois SHBA shpall 28 Janarin si ditën e lirisë, në nder të shkrimtarit shqiptar Visar Zhiti

Visar Zhiti

Data 28 Janar tashmë në shtetin e Illinois, Sh.B.A do të kremtohet si dita e lirisë. Kjo ditë u caktua e tillë nga guvernatori i shtetit të Illinois, JB Pritzker në nderim të poetit dhe shkrimtarit shqiptar Visar Zhiti.   

Në proklamatën e vulosur nga guvernatori Pritzker theksohet rëndësia e kësaj dite si simbol i rezistencës së poetit ndaj regjimit dhe shtypjes. Gjithashtu thuhet se kjo ditë do të celebrohet si e tillë në përkujtim të datës 28 e cila përkon me ditën e lirimit të Zhitit nga burgu.

“Duke patur parasysh që Visar Zhiti, një poet dhe shkrimtar i shquar shqiptar, si dhe një kampion i të drejtave të njeriut, duroi vite të tëra burgimi të padrejtë për poezinë e tij guximtare, e cila sfidonte shtypjen dhe kremtonte shpirtin e pathyeshëm njerëzor dhe duke patur parasysh që lirimi i Visar Zhitit më 28 janar 1987 shënoi jo vetëm çlirimin e tij vetjak, por edhe një fitore për lirinë e shprehjes, duke mishëruar besimin se poezia është drita në errësirë, fjala që i mbijeton prangave; dhe, duke patur parasysh që pavarësisht përpjekjeve të një regjimi totalitar për të heshtur zërin e tij,  Visar Zhiti u shfaq  si një fanar shprese,  duke e shndërruar dhimbjen e tij në vepra letrare të thella që na kujtojnë se, edhe në burgun më të errët, shpirti gjen rrugën drejt yjeve”

Në proklamate mes të tjerash evidentohet dhe kontributi i Zhitit i cili i emigruar nga Shqipëria në Illinois, sjell me vete dhe vlerat e letërsisë dhe trashëgimisë së vendit të tij si një personalitet tashmë dhe amerikan.

“Duke patur parasysh që Udhëtimi i Visar Zhitit e solli atë në Illinois, ku ai vazhdon të pasurojë  peizazhin tonë kulturor me  talentin e tij  të jashtëzakonshëm, mençurinë dhe avokatinë e tij për të drejtat e njeriut, duke na kujtuar fuqinë e qëndresës dhe krijimtarisë dhe duke patur parasysh që Shteti i Illinois-it është krenar që është shtëpia e një individi, historia e jetës dhe veprat letrare të të cilit pasqyrojnë triumfin e shpirtit njerëzor mbi tiraninë dhe frymëzojnë brezat për të çmuar lirinë dhe dinjitetin dhe duke patur parasysh që Komuniteti Shqiptaro-Amerikan  dhe të gjithë qytetarët e Illinois-it festojnë trashëgiminë e qëndrueshme të tij, duke njohur kontributet e tij në letërsi, mbështetjen e tij të palëkundur për drejtësi dhe aftësinë e tij për t’u dhënë zë të heshturve dhe duke patur parasysh që është e duhura të përkujtojmë 28 Janarin  si një ditë për të nderuar Visar Zhitin dhe jetën e tij të jashtëzakonshme, duke siguruar që historia e tij të rezonojë me brezat e ardhshëm dhe që liria është një poemë e shkruar në zemrat e të gjithë njerëzve.

Unë, Guvernatori i Shtetit të Illinois-it me anë të kësaj shpall 28 Janarin 2025 si Dita e Visar Zhitit, një ditë për të celebruar vlerat e lirisë artistike, të të drejtave të njeriut dhe qendresën e shpirtit njerëzor. Në dëshmi të kësaj, unë kam vënë dorën time këtu dhe kam urdhëruar që të vendoset Vula e Madhe e Shtetit të Illinois-it'

Proklamata iu dorëzua Visar Zhitit nga Presidenti i Komunitetit Shqiptar në Illinois, AACI, Edon Shaqiri dhe Presidentja e “Care for Albania”, Dr. Sonila Sejdaras në një ceremoni të mbajtur në  Chicago-s, në 727 Ëest Madison St. ku morën pjesë personalitete shqiptare të fushave të ndryshme të cilët jetojnë dhe punojnë në SHBA

“Unë dola nga portat e hekurta të burgut në atdhe dhe arrita në dritat marramendëse të Chicagos në SHBA, nuk jam vetëm, para meje kanë ardhur plot e plot të tjerë. Këtu liria është më e vërtetë dhe më e fortë,dhe që na bën ta duam shumë këtë vend si një atdhe i ri dhe na bën ta duam edhe më shumë atdheun që lamë dhe e di që rruga më e rëndësishme e lirisë është ajo që të çon tek vetja ashtu si tek tjetri, te e mira dhe te ardhmëria. Liria jeni ju” u shpreh Visar Zhiti gjatë fjalës së mbajtur.

Në ceremoni mori pjesë dhe aktori shqiptar me famë botërore Jim Belushi, i cili lexoi dhe disa poezi të Visar Zhitit.

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Disidenti: 31/01/2025 20:36

    Q..r.. shkrimtar i shquar shqiptar dhe ne sdime gje!

    Përgjigju
    • Or tej: 31/01/2025 23:42

      Me mire vone se kurre or teeeejjjjj

  • Sondazhi i ditës: 1 Mars, 00:12

    A mendoni se në primaret e PD do të fitojnë kandidatët më të mirë?



×

Lajmi i fundit

NBA/ Golden State 'bie' në udhëtim, Bucks triumfojnë në Dallas

NBA/ Golden State 'bie' në udhëtim, Bucks triumfojnë në Dallas