Shthuret opozita, aleatët refuzojnë
 koalicionin me Lulzim Bashën

Shthuret opozita, aleatët refuzojnë<br /> koalicionin me Lulzim Bashën
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, po shkon drejt zgjedhjeve të 2017, pa dy parti të djathta, të cilat ishin pjesë e koalicionit të PD në zgjedhjet e fundit lokale. Aleatët tradicionalë të Partisë Demokratike, ballistët dhe legalistët, nuk i janë përgjigjur interesit të Lulzim Bashës për një marrëveshje të re politike, në kuadër të zgjedhjeve të 2017.

Refuzimi ka ardhur pas shkeljes së marrëveshjes së Partisë Demokratike për ndarjen e pushtetit pas zgjedhjeve lokale të 2015. Siç dihet, legalistët dhe ballistët u përfshinë në një kurs përplasjesh me kryetarin e PD, Lulzim Bashën, pas zgjedhjeve lokale të 2015. Thelbi i mosmarrëveshjeve dhe nervozizmit, lidhej me mungesën e përfaqësimit të dy partive në fjalë në bashkitë dhe këshillin bashkiak.

Gjithsesi, në kuadër të lëvizjeve gjysmë të dukshme për ndërtimin e koalicionit të ardhshëm, për llogari të zgjedhjeve të 2017, Basha ka ftuar aleatët tradicionalë, për t’u bashkuar me grupin e partive, që do të drejtohet nga PD. Sipas burimeve, krerët e partive të djathta nuk janë kontaktuar personalisht nga Basha, por me anë të ndërmjetësve të tij. Po në këtë kuadër, disa javë më parë, Basha ka zhvilluar një takim në selinë e PD edhe me Vangjel Dulen, partia e të cilit herë kalon majtas dhe herë djathtas. Megjithatë, nuk ka një pakt zyrtar mes PBDNJ dhe PD. Aktualisht, PD ka vetëm një aleat të qëndrueshëm, Fatmir Mediun, kryetar i PR.

Reagimi
Balli Kombëtar dhe PLL nuk i janë përgjigjur kryetarit të PD. “Jo që nuk e ka zbatuar atë që ka firmosur, por ka shkelur rëndë frymën e bashkimit dhe vëllazërimit midis nesh dhe futi frymën e përçarjes midis strukturave të partisë Balli Kombëtar”, u shpreh kryetari i Partisë Balli Kombëtar, Adriatik Alimadhi, duke iu referua raporteve me PD. Nga ana tjetër, edhe kreu i PLL, Sulejman Gjana, u shpreh skeptik sa i takon një marrëveshje të mundshme PD, për shkak të një përvoje negative bashkëpunimi me pasuesin e Berishës. Raportet mes partisë kryesore dhe aleatëve nuk janë të mira as në shumicën në pushtet. Aleatët e Partisë Socialiste kanë shprehur në vijimësi rezerva sa i takon nivelit të repetimit të marrëveshjes para zgjedhjeve të 2015.

Basha humbet provën
Përpos konsumimit gjatë tetë viteve në pushtet dhe mungesës së një alternative për të rifituar besimin e shqiptarëve, një nga kushtet përcaktuese për rikthimin e PD në pushtet është një aleancë e gjerë. Dhjetë vitet e fundit kanë treguar se asnjëra nga forcat politike nuk mundet të fitojë zgjedhjet lokale apo parlamentare pa një koalicion me bazë të gjerë. Në mungesë të aleatëve, PD jo vetëm humbi zgjedhjet e fundit lokale, por thelloi diferencën me kundërshtarin politik, me rreth 500 mijë vota. Ish-kryetari i PD, Sali Berisha, ka artikuluar kritika të qarta në drejtim të Lulzim Bashës, i cili gaboi me aleancat në zgjedhjet e fundit lokale, duke i kërkuar kësisoj të ndryshojë taktikë për zgjedhjet e 2017. Por, nisur nga konjukturat politike dhe zhvillimet e deritanishme, Basha duket se po e humbet edhe këtë provë.  
 
 
Precedenti/Si i humbi Basha aleatët në dy vjet
 
Krahas krisjes me Partinë e Ballit Kombëtar dhe PLL, Lulzim Basha, si kryetar i PD, ka humbur edhe dy aleatë të tjerë parlamentarë, me peshë reale në elektorat. Bëhet fjalë për kreun e PDIU, Shpëtim Idrizin dhe kryetarin e Partisë Demokristiane, Nard Ndoka. Ky i fundit, i pyetur se, në cilin krah do të rreshtohej në 2017, tha se nuk kishte ende një vendim.

Gjithsesi, Ndoka u largua nga koalicioni i djathtë rreth dy vite më parë, ndonëse nuk ka një pakt me Partinë Socialiste. Ndërkaq, edhe Partia Fryma e Re Demokratike nuk ka ende një qëndrim përfundimtar sa i takon koalicionit, por kreu i saj, Bamir Topi është shprehur shpeshherë i prerë kundër një koalicioni me PD, për sa kohë që Berisha është pjesë e kësaj partie.
 
 Partitë që braktisën PD
Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet
Partia Demokristiane
Partinë e Ballit Kombëtar
Partia Lëvizja e Legalitetit 
 
Refuzimi  
Aleatët tradicionalë të Partisë Demokratike, ballistët dhe legalistët nuk i janë përgjigjur ftesës dhe interesit të Lulzim Bashës për një marrëveshje të re politike, në kuadër të zgjedhjeve të 2017.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tetori, një muaj i pafat për këto shenja horoskopi

Tetori, një muaj i pafat për këto shenja horoskopi