Këtë fillim prilli, fermerët e fushës së Myzeqesë kanë nisur mbjelljen e misrit dhe lulediellit, por sipërfaqet janë më të vogla se vitin e kaluara.
"Po mbjell misër tre dynym, nuk mbjell dot më tepër. Vjet mbolla 7 dynym, por s’pashë asgjë sepse nuk kishte ujë, thotë Shemsi Lila, fermer nga zona e Dushkut në Lushnjë.
Gjithsej kjo sipërfaqe është 16 hektarë. Po të tjerët e kanë lënë djerr.
"S’do ta kisha mbjellë fare as unë, vetëm se e kam frezuar dhe me vjen keq ta lë. Farën e mora 900 lek/kg, mekanika u rrit 15000 lek/dynym freza, plugimi 2000 lek", thotë ai.
Ai shton se ka marrë 20 mijë lek subvencione për naftën vitin e kaluar, por janë të pamjaftueshme, pasi kostoja është më e lartë.
Fermerët e vegjël janë më të goditurit, pasi nuk kanë makineri bujqësore dhe detyrohen të marrin me qira frezën, plugun dhe të tjera, duke e bërë mbjelljen të shtrenjtë.
“Kostot janë ngritur për gjithçka: nafta, mbjellja, plehrat. Shteti nuk na ndihmon asnjë gjë. Përballemi me të gjitha shpenzimet ne", shprehet Kujtim Boçi, fermer në Dushk.
Po kështu çmimet e plehrave kimike dhe farërave janë dyfishuar, pasi janë produkte importi.
Plehrat janë shtrenjtuar së tepërmi. Importet bllokojnë tregun: gruri, elbi, misri vijnë nga jashtë, dhe ne nuk mund ta shesim produktin tonë”, thotë Engjëll Muça, fermer në Tërbuf të Divjakës.
Rritja e çmimeve dhe subvencionet e pamjaftueshme, po përballin fermerët e fushës më prodhuese në vend me humbje të mëdha. Prodhimi i pritshëm këtë vit do të ketë kosto deri 30% më të lartë se vitin e kaluar.
Komente











