Elbasani po përballet këtë vit me një rritje të ndjeshme të çmimit të vajit të ullirit, për shkak të prodhimit të ulët. Fermerët raportojnë se çmimi i shumicës ka arritur 800-900 lekë për litër, rreth 100 lekë më shumë se vitin e kaluar.
Fermerët e zonës së Shushicës shprehen se ky vit ka pasur më pak rendiment krahasuar me vitet e kaluara. Sipas tyre, faktor kryesor është ndryshimi i klimës, që ka ndikuar në kushtet gjatë lulëzimit të ullinjve, si dhe cikli biologjik i kulturës së ullirit. Megjithatë, ata theksojnë se cilësia e vajit mbetet e lartë.
Një tjetër problem i theksuar nga fermerët është mungesa e fuqisë punëtore. Punëtorët sezonale shpesh refuzojnë të punojnë, ndërsa tregu i shitjes nuk ofron stabilitet, gjë që e vështirëson organizimin e prodhimit.
Edhe pronarët e fabrikave të vajit e konsiderojnë këtë sezon sfidues, por theksojnë se puna ka nisur dhe cilësia e produktit është e lartë, duke justifikuar rritjen e çmimit në treg.
Qarku i Elbasanit prodhon mesatarisht 117 mijë ton ullinj në vit, duke e bërë këtë rajon një nga zonat kryesore prodhuese ne vend.
Ekspertët e bujqësisë parashikojnë se ndryshimet klimatike mund të vazhdojnë të ndikojnë në rendimentin e ullirit.
Komente











