Prokuroria e Posaçme ka shtyrë sërish me 3 muaj hetimet për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj lidhur me hetimet për dosjen e inceneratorëve të Elbasanit. Pas shtyrjes së hetimeve 3 muaj më parë, është vendosur që të merret sërish kohë deri në shtator për të hetuar dosjen e tij. Shkak, sipas SPAK, është mosmbërritja ende e të gjitha përgjigjeve të letërporosive që ka dërguar organi hetues drejt Zvicrës.

Ahmetaj hetohet me masë sigurie në mungesë, lidhur me akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, në kuadër të dosjes së inceneratorëve. Të pandehura për këtë çështje, SPAK ka marrë edhe ish-bashkëshorten dhe bashkëjetuesen e Ahmetajt, të cilat akuzohen për pastrim parash, ndërsa javë më parë janë vënë nën sekuestro edhe disa pasuri.

Kjo është hera e katërt që SPAK shtyn hetimet ndaj ish-zyrtarit, dhe tashmë si datë përfundimtare e hetimeve mbetet 23 shtatori.