TIRANË - Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronës, që nga fundi i vitit të kaluar, nuk kishte asnjë funksion ligjor, duke qenë se ligji e lejonte procesin për këtë qëllim të zhvillohej deri në 31 dhjetor 2011. Për të disatën herë, Këshilli i Ministrave ka shtyrë afatin e vlefshmërisë ligjore të AKKP deri në 30 prill të vitit 2013. Që të marrë fuqi ligjore, ky projekt duhet të kalojë për miratim nga Kuvendi, pasi fjala është për amendimin e nje ligji ekzisten, konkretisht ligjin nr. 9235 Për kthimin dhe kompensimin e pronës.

ZYRË PËR PRONAT EDHE NË MINISTRINË E DREJTËSISË
Përveç ndryshimit të afatit, në projektligjin që ka kaluar në qeveri parashikohet edhe krijimi i një institucioni të ri brenda ministrisë së Drejtësisë, Drejtoria e koordinimit të Procesit të Kthimit e Kompensimit të Ponës, që duhet të bashkërendojë punën e disa institucioneve aktuale, si ALUIZNI, Hipoteka, AKKP, etj.

VLERËSIMI I TOKËS ME VLERËN E TREGUT
Një ndryshim tjetër në ligj është ai që parashikon vlerësimin e tokës që do të kompensohet për ish-pronarët me vlerën e tregut dhe sipas standardeve ndërkombëtare.
Këto ndryshime janë në përputhje me një strategji për rregullimin e procesit të pronësisë në Shqipëri, që nuk ka gjetur ende zgjidhje pas 22 vitesh, ku hasen mbivendosje pronësie, zënie të paligjshme pa lejen e pronarit, shdukje të dokumentacionit të vjetër arkivor, etj.

VONESAT NË PROCES
Shoqatat e ish-pronarëve kohët e fundit kanë ngritur zërin, duke theksuar se do të duhbej të caktoheshin 30 miliardë euro për dëmshpërblimin e tyre financiar, ndërkohë që qeveria është duke dëmshpërblyer vetëm ata persona, tokat e të cilëve janë zënë pa leje nga të tjerë, por po harrohet kategoria e pronarëve të tjerë. Këta të fundit po fitojnë gjyq pas gjyqi në Gjykatën e Strasburgut të të Drejtave të Njeriut. Mbetet për të parë në se edhe këto ndryshime do të mbeten apo jo pa rezultat në zgjidhjen e një problemi madhor, pa të cilin nuk mund të bëhet fjalë as për shtet ligjor e as për reszpektim të të drejtave të njeriut, pa folur për zhvillimin e mirëfilltë ekonomik dhe tërheqjen e investitorëve të huaj.

(aq/shqiptarja.com)