Programi i ri i Ministrisë së Arsimit “Tre lënë në gjashtë orë” ka hasur në kundërshti të Komisionit parlamentar të Edukimit. Ky komision i drejtuar nga opozita thirri në një seancë dëgjimore ministren Lindita Nikolla për të dhënë shpjegime për këtë nismë, që siç u motivua nga ministria, erdhi si propozim i disa prindërve, mësuesve e nxënësve nga platforma e bashkëqeverisjes.

Por në komision këtë të hënë erdhi zëvendës ministrja Bora Shahini, çka shkaktoi reagimin e të gjitha palëve.

“Nuk mund të tolerojmë që fëmijët tanë të përdoren për kavje për eksperimente nga kryeministri apo ministria e arsimit për të mbuluar skandalet e arsimit, nuk pranoj të vazhdoj kjo seancë dëgjimore,” tha Albana Vokshi.

“Arsyeja pse ministria e arsimit nuk ka ardhur sot këtu është se ajo ndodhet në një mbledhje në Londër, ku merr pjesë të përfaqësoj Shqipërinë,” shpjegoi Milva Ekonomi Deputete e PS.

“Është e vështirë për ministren të jetë këtu dhe të japi llogari, është detyra e asaj të japi llogari por nëse nuk është e zonja të japi dorëheqjen," deklaroi Kedi Mehmetaj, deputete e LSI.

“Ky projekt përfshin rreth 35 000 mësues, tha Ulsi Manja, deputet i PS.

Mbledhja u shty për një datë tjetër kur ministrja të jetë e gatshme të vijë të raportojë në Komision.

Komisioni i Edukimit ka ndërprerë mbledhjen ku Ministria e Arsimit do të raportonte për programin e ri “Tre lëndë në gjashtë orë”, pasi kërkonin që llogari të japë vetë ministrja Lindita Nikolla, dhe jo zëvendësja e saj, Bora Shahini.

Redaksia Online
Xh.F/Shqiptarja.com