Shtyhet me dy ditë dialogu Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë, O'Brien: Diskutimet të rëndësishme, përparimi ekonomik thelbësor

Shtyhet me dy ditë dialogu Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë, O'Brien: Diskutimet të rëndësishme, përparimi ekonomik thelbësor

Takimi i paraparë të mbahet në Shtëpinë e Bardhë me datën (02.09) në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, me gjasë shtyhet për dy ditë. Kështu deklaroi ministri i Drejtësisë në qeverinë e Kosovës Selim Selimi, i cili së bashku me ministren e Jashtme të Kosovës, Melisa Haradinaj-Stublla, po qëndrojnë prej disa ditësh në SHBA. Sipas ministrit Selimi, shtyrja me dy ditë e takimit të kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, mund të ndodhë për shkak të agjendave të bartësve kryesorë të këtij takimi, mikpritës të të cilit do të jenë Këshilltari për Siguri Kombëtare Robert O'Brien së bashku me ambasadorin Richard Grenell, i Dërguar i Posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për bisedimet Kosovë-Serbi.

O'Brien: Diskutimet janë të rëndësishme, përparimi ekonomik thelbësor

Zyra e zotit O'Brien gjatë ditës së premte tha se "Shtetet e Bashkuara presin me padurim për këto diskutime të rëndësishme me presidentin serb Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrin kosovar Avdullah Hoti”, dhe besojnë që "përparimi ekonomik është thelbësor për çuarjen përpara të procesit të paqes”.

Në Kosovë udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike e kanë mirëpritur angazhimin amerikan për mbajtjen e takimit në Shtëpinë e Bardhë. Kryeministri Avdullah Hoti tha se "në takim do të diskutohet për projekte madhore të bashkëpunimit ekonomik që do ta ndërrojnë perspektiven ekonomike të Kosovës dhe rajonit”.

Edhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuciq, tha se "fakti që do të bisedohet për çështje ekonomike është gjë e mirë për Serbinë dhe rajonin”. "Temat e diskutimit shtrohen nga mikpritësit dhe nuk e përjashtoj mundësinë që përveç çështjeve ekonomike të diskutohet edhe për ato politike, por, nuk mund të ketë bisedime për njohjen e pavarësisë së Kosovës”, citojnë mediet në Serbisë presidentin serb.

Kurti kundër Grenell

Angazhimi i ambasadorit amerikan Richard Grenell në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, i cili vazhdimisht ka kërkuar që Kosova ta heqë reciprocitetin me Serbinë dhe të rifillojë dialogu, nuk i ka pëlqyer dhe vazhdon të mos i pëlqejë liderit të opozitës në Kosovë, Albin Kurtit. Në një postim në profilin e tij, pasi refuzoi të marrë pjesë në një takim virtual me të gjithë udhëheqësit politik kosovar, takim ky i organizuar nga disa veprimtarë shqiptarë në SHBA, Kurti bëri thirrje që njëzëri të kundërshtohet Richard Grenell.

"Sa i përket të dërguarit të posaçëm Grenell, meqenëse ai ka thënë se Kosova duhet ta heqë reciprocitetin me Serbinë, mendoj se duhet të veprojmë me të njësoj siç vepruam me ambasadorin Gelbard kur në 1998 tha, se UÇK-ja është terroriste, pra ta kundërshtojmë njëzëri, në mënyrë që ta kuptojë se kjo qasje është e papranueshme për ne. Asokohe kundërshtimi ynë bëri që Gelbard të zëvendësohet nga Holbrooke, pra, ia pamë hajrin kundërshtimit. Edhe sot na duhet që Richard Grenell të zëvendësohet me një Richard Holbrooke të ri”, shkroi Kurti.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë ishte planifikuar të mbahej fillimisht për 27 qershor, por, ky takim u anulua për shkak se Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, që të dy të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Konsultime në Francë

Nga ana tjetër, koordinatori shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skënder Hyseni të premten qëndroi në Paris ku zhvilloi takime me zyrtarë të politikës franceze "për të diskutuar rreth procesit të dialogut Kosovë-Serbi dhe liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”. Hyseni përgjatë takimit me Alexandre Adam, këshilltar diplomatik për Evropën i presidentit francez, Emmanuel Macron, tha se përkushtimi i liderit francez dhe kancelares gjermane, Angela Merkel është thelbësor në negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit që po zhvillohen në Bruksel”.

Megjithatë, Hyseni ka përmendur nevojën e përfshirjes së drejtpërdrejtë të Uashingtonit në këtë proces. "Koordinimi me synimin që dialogu të marrë një dinamikë të re është imperativ. Theksova se nuk duhet të humbet koha e çmueshme, duke zvarritur procesin, por duhet shtruar pa u vonuar dhe pa zvarritje, për diskutim dhe akordim çështjen kryesore, marrëveshjen gjithëperfshirëse për njohje reciproke dhe normalizim midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Kjo mund të arrihet vetëm me përfshirjen dhe përkrahjen e drejtpërdrejtë dhe të koordinuar të trekëndëshit Paris, Berlin, Uashington për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë të arrijnë një marrëveshje normalizimi, duke njohur njëra-tjetrën”, shkroi Skënder Hyseni në Facebook./ DW

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!