Gjykata Administrative e Shkallës së Parë shtyu seancë për TEC-et lundruese të ankoruara në Triport të Vlorës që prej vitit 2022 dhe që ende sot nuk janë vënë në punë duke mos prodhuar asnjë megavat energji.

Palët e paditura janë: Ministria e Turizmit dhe Mjedisit,  KESH, ERE, Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Këshilli i Basenit Ujor Vjosë.

Përfaqësuesit e tyre të mbrojtjes nuk ishin të pranishëm, ndërsa disa organizata mjedisore dhe banorë të zonës si palë paditëse, kanë kërkuar pezullimin e lejeve të dhëna si dhe anulimin e licencës për prodhimin e energjisë nga dy TEC-et lundruese. Kjo, sepse sipas tyre Shqipëria aktualisht nuk është e përfshirë nga kriza energjetike, ndryshe nga periudha kur TEC-et u miratuan me qëllim daljen nga kriza.

Trupi gjykues i la 10 ditë afat të paditurve për pranimin e kërkesave. Pala paditëse gjithashtu kërkoi në seancë edhe kontratën e plotë të nënshkruar mes shtetit shqiptar dhe kompanisë EXCELERATE ENERGY, me qëllim shtimin e kësaj të fundit si palë e paditur, pasi konsiderohet prej tyre një kompani offshore e cila do të përfitojë miliona euro nga taksapaguesit shqiptarë.

Edhe pse ka kaluar më shumë se një vit, që kur dy termocentralet lundruese mbërritën në portin e Vlorës, ende nuk kanë nisur nga puna, edhe pse ERE ka licencuar KESH për të nisur prodhimin e energjisë tek 'Tigri 1' dhe 'Tigri 3'.

Kostoja për një megavat të prodhuar nga këto TEC-e përllogaritet mesatarisht 150-170 euro, por që mund të ndryshojë në varësi të çmimit të lëndës djegëse. Kjo vlerë është trefish më e lartë se çmimet aktuale të energjisë në bursë, që arrijnë deri në 50-60 euro/megavat.  Dy platformat lundruese nëse vihen në punë do të prodhojnë 110 megavat orë energji elektrike, dhe të mbulohen 15% e nevojave të konsumit vendas.

Marrëveshja 2-vjeçare me kompanitë Exelerate Energy dhe Renco është nënshkruar me mbështetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Qiraja ditore për këto anije është 63 mijë dollarë.