Vendimi përfundimtar në rastin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë është shtyrë për më 20 korrik 2026.

Konfirmimin për shtyrjen e shpalljes së vendimit e ka bërë për RTK avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Luka Mishetiç, i cili ka konfirmuar saktësinë e informacionit të raportuar në media.

“Mund ta konfirmoj se kjo është e saktë”, ka deklaruar Mishetiç.

Fillimisht, vendimi përfundimtar ishte parashikuar të shpallej më 19 maj, brenda afateve të përcaktuara procedurale. Megjithatë, sipas Rregullores së Gjykatës Speciale, trupi gjykues ka në dispozicion 90 ditë për shpalljen e verdiktit, me mundësi shtyrjeje deri në 60 ditë shtesë.

Që prej nëntorit të vitit 2020, 4 ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) Hashim Thaçi, Kadri VeseliRexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi qëndrojnë të izoluar në Hagë, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në shkurt të këtij viti, ata dolën për herë të tretë para Gjykatës Speciale për të dhënë deklarimet e tyre, ndërsa procesi ka nisur në prill 2023. Në deklarimet e secilit u bërtit me të madhe lufta për liri, pafajësia, Kosova e pavarur, masakrat nga regjimi serb dhe krenaria për UÇK.

Avokatët mbrojtës kërkuan pafajësinë e tyre dhe mohuan akuzat e ngritura nga prokuroria duke i cilësuar si të pabazuara në fakte apo të vërteta.