Shtyhet zgjedhja e Guvernatorit
Meta: Nuk kam folur me Ramën

Shtyhet zgjedhja e Guvernatorit<br />Meta: Nuk kam folur me Ramën
TIRANE - Më pak se një javë nga dekretimi i Genti Sejkos për postin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, zgjedhja e presidentit Bujar Nishani është shtyrë për t'u diskutuar dhe votuar në sesionin e ri parlamentar, i cili nis punën javën e tretë të janarit.

Ishte kryetari i Parlamentit Ilir Meta i cili bëri të ditur këtë lajm. Ai tha se nuk është diskutuar ende mes drejtuesve të mazhorancës dhe presidentit për emrin e guvernatorit të ri. Përgjigjja e Metës nënkuptoi se mesa duket shqyrtimi do të behet në sesionin e ardhshëm parlamentar.

Pavarësisht se nuk përmendi emrin e kryeministrit Rama në deklaratën e tij, kryetari i Kuvendit Meta la të kuptohet se ende mes mazhorancës nuk është finalizuar qëndrimi për dekretin e presidentit Bujar Nishani.  Ai tha se Parlamenti do të përmbushë të gjitha detyrimet kushtetuese dhe ligjore sa i përket shqyrtimit të dekretit të Presidentit për Guvernatorin.

“Me dekretin e Guvernatorit të Bankës, Presidenti ka përmbushur obligimet e tij kushtetuese. Edhe Kuvendi do të përmbushë detyrimet e tij kushtetuese dhe ligjore”, u shpreh Meta.

Për këtë Meta anashkaloi një përgjigje direkte, pra faktin se çmendim kishte ai për Genti Sejkon. Pavarësisht se asgjë nuk ka ende në horizont,  poshtë saj takimet nuk kanë munguar.
 
Një ditë më parë, për të gjashtën herë në dy muajt e fundit, kreu i shtetit u takua me kryeministrin Rama në një takim informal kryefjalë e të cilit ka qenë pikërisht çështja e guvernatorit të ri të bankës. Megjithatë mazhoranca duket se do te jetë kundër dekretit, kur kryetari i Komisionit të Ekonomisë Erion Braçe tha se kandidatura e Genti Sejkos ka mangësira ligjore dhe se për këtë duhet të shqyrtohet në komisionin parlamentar të Ligjeve.

Meta: Ne kemi plotësuar kërkesat, opozita të vij në Parlament
Europarlamentari Eduard Kukan javën e ardhshme do të vizitojë Shqipërinë, për të “përdorur” ndikimin e PE për një marrëveshje mes mazhorancës dhe opoztës që kjo e fundit të thyejë bojkotin. E ndërsa ndërkombëtarët janë kërkuar si garant nga opozita, kryetari i kuvendit Ilir Meta thotë se mazhoranca ka plotësuar të gjitha kërkesat. Ai u shpreh i hapur për miratimin e një nisme ligjore të propozuar nga opozita që synon dekriminalizimin e Kuvendit.

"Ne jemi të hapur për të diskutuar dhe për të çuar përpara çdo propozim të opozitës që ndihmon në rritjen e transparencës së Kuvendit dhe njëkohësisht edhe të vetë deputetëve. Ne besojmë se i kemi plotësuar të gjitha kërkesat e opozitës dhe ato për komisionet hetimore, edhe për të drejtën e fjalës së përfaqësuesit të opozitës pas kryeministrit, që do të thosha është edhe një rast unik në historinë e parlamentarizmit pasi nuk besoj se ka një rast të dytë në Evropë, që është edhe kontinenti më demokratik deri më tani", deklaroi Meta.

Vjen Kukan javën tjetër. Me çfarë misioni vjen  në Tiranë dhe a do të jetë ai njëri mes negociatorëve mes dy palëve?
"Kukan është një personalitet i nderuar i parlamentit europian dhe i politikës europiane. Gjithmonë në krye të përpjekjeve të parlamentit europian për të mbështetur Shqipërinë për tu integruar në Europë dhe për të arritur standardet europian. Kukan është gjithmonë i mirëpritur dhe çdo përfaqësues tjetër i Parlamentit Europian. Unë besoj se janë plotësuar të gjitha kushtet dhe janë pjekur të gjitha kushtet që opozita të marrë të gjitha përgjegjësitë e saj në Kuvendin e Shqipërisë", theksoi Meta.

Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Kategoria e Parë/ Përcaktohet kalendari i kampionatit nga java e 8-të deri në javën e 12-të

Kategoria e Parë/ Përcaktohet kalendari i kampionatit nga java e 8-të deri në javën e 12-të