TIRANE-  Kryetari i grupit Socialdemokrat në Parlamentin Europian, Hanes Svoboda bën me faj opozitën shqiptare për mos dhënien e statusit të vendit kandidat në BE.

Sipas Svobodës forcat ekstreme u forcuan kur u hap fjala që në Shqipëri nuk po funksion siç duhet puna dhe qeveria.

Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit me kryetarin e parlamentit Ilir Meta, Svoboda i bëri thirrje opozitës të ketë kujdes me deklaratat e saj dhe të bashkëpunojë për cështjet kryesore në vend.

Duke iu përgjigj pyetjes së një gazetari se sa të fuqishme ishin qarqet ekstreme në BE në lidhje me vendimin për Shqipërinë dhe si mendohet se do të sfumohet forca e këtyre qarqeve deri në qershor, Svoboda tha:

 “ Mendoj se këto forca ekstreme në disa vende e kishin mundësinë për ndikuar në një farë mënyre vendimin për Shqipërinë, sidomos në Hollandë. Por dhe zgjedhjet e ardhshme në parlamentin evropian patën një ndikim në disa parti politike evropiane. Për të qenë i sinqertë, këto parti, këto forca ekstreme u forcuan në një farë mënyre kur u hap fjalë që në Shqipëri nuk po funksionon siç duhet puna  dhe qeveria. Thirrja jonë është për opozitën, sigurisht  ata duhet të bëjnë punën e tyre dhe të ketë një   opozitë të fortë, por të kenë kujdes që ata kur hapin fjalë të tilla të mendojnë që ndikon tek  vendin i tyre më shumë. Mesazhi kryesor është që duhen bërë reforma për vendin dhe nuk duhet ti mbajmë sytë të ngulur në qershor dhe po nuk u  mor statusi është një fatkeqësi e madhe. Duhet të punohet për reformë.  Mesazhi më i mirë që duhet të jepet për promovimin e Shqipërisë është bashkëpunimi që duhet të ketë mes opozitës dhe mazhorancës për çështjet kryesore në vend.”- tha Svoboda.

Svoboda u shpreh se mos dhënia e statusit nuk ka të bëjë me punën që ka bërë qeveria dhe nënvizoi rëndësinë që në Europë duhet të përcillen ndryshimet pozitive që janë bërë nga qeverisja aktuale.

“Mos dhënia e statusit nuk ka të bëjë me punën që ka bërë qeveria këto muajt e fundit por me problemet e vendeve brenda Europës. E di që disa njerëz që nuk dua ti referohem thonë që statusi nuk iu dha për shkak të qeverisë. Mendoj që duhet të vazhdoni me reformat, standard dhe kriteret. Arrij të shoh ndryshimet që janë bërë muajt e fundit është e rëndësishme që Europa t’i kuptojë dhe të japë statusin e vendit kandidat. Shqipëria është dhe duhet respektuar si një vend europian. Kjo do të ishte e rëndësishme për Shqipërinë por  dhe për popullsinë shqiptare. "- tha Svoboda.

SVOBODA: JENI VONE ME REFORMEN TERRITORIALE. META: ESHTE E NEVOJSHME
Lidhur me reformën territoriale, Svoboda u shpreh se Shqipëria është vonë, ndërkohë që kryetari i Parlamentit nënvizoi sërish se kjo reformë nuk ka prapavija politike.

SVOBODA: "Unë jam nga Austria dhe ne e kemi bërë 40 vjet më parë. Pa dashur të kritikoj dua të them që ju jeni vonë. Dhe në diskutimet e mia me Metën, kryeministrin dhe kryetarin e opozitës nuk shoh që të ketë pengesë në arritjen e kësaj reforme.  Eksperienca në Europë tregon që kjo është nevojshme dhe funksionon dhe ndihmon në demokratizimin e vendit. “

META: “Mendoj se kjo reformë është e rëndësishme, sepse vendi ka të njëjtën ndarje administrative që në korrik të 1992 dhe ka një përmbysje demografike. 150 njësi vendore nuk kryejnë asnjë shërbim vetëm nga kjo do përfitoheshin 80 milionë dollar. Ndërkohë ne marrim para borxh dhe paguajmë interest. Prandaj është shumë e rëndësishme reforma. Komisioni i ngritur garanton të drejtat e opozitës. Asnjëherë nuk ka pasur një ofertë të tillë me opozitën. Nuk ekzsiton asnjë prapavijë për qëllime politike, apo ide salamandra, është vetëm, në interes të qytetarëve, shpresoj që opozita të kontribuojë me eskperiencën e saj në këtë reform”.

SVOBODA: META  KA ROL TE RENDESISHEM
Svoboda vlerësoi se Ilir Meta mes opozitës dhe mazhorancës.
“Besoj se Meta ka një rol të rëndësishëm në jetën parlamentare, sepse një nga problemet kryesore të Shqipërisë  është se mazhoranca dhe opozita nuk punojnë bashkë për çështje kryesore në Kuvend.”- tha Svoboda,.

Ndërkohë që më vonë u shpreh me këto fjalë: Dua të falenderoj Metën që ka një kontribut shumë të madh në modernizimin e vendit“

Nga ana e tij kryetari i Parlamentit u shpreh se i kishte garantuar Svobodës “funksionimin demokratik transparent dhe gjithëpërfshirës të Kuvendit dhe përpjekjen e vazhdueshme për bashkëpunim me opozitën

DEKRETET E NISHANIT PER GJYKATEN E LARTE
I pyetur për qëndrimin e LSI  në lidhje me dekretet e Nishanit u përgjigj: "Do të respektojmë të gjitha fazat e këtij diskutimi. Në momentin e duhur do të shprehemi."

SVOBODA TAKOI DHE RUCIN E BASHEN 
Më herët kryetari i grupit të Social-Demokratëve në Parlamentin Europian, i cili ndodhet në Tiranë me ftesë të Grupit Ps zhvilloi takime edhe me kryeministrin Edi Rama , kryetarin e opozitës Lulzim Basha si edhe me kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Gramoz Ruçi. Ky i fundit ka garantuar se qeveria  është e gatshme dhe vendosur të vazhdojë reformat  për integrimin e vendit në BE

Redaksia online