Është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare Alush Gashi, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Ibrahim Rugova gjatë viteve të rezistencës paqësore në Kosovë.

Ish-sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë në Lidhja Demokratike e Kosovës, më pas deputet dhe ministër në qeveritë e pasluftës, ishte një nga figurat që shoqëroi Rugovën në përpjekjet për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.
Pas lajmit për ndarjen e tij nga jeta, gazetari Mero Baze ka risjellë disa fragmente nga libri i tij Republika e Parë, ku përshkruhen vitet dramatike të Kosovës dhe roli që Alush Gashi pati në ato zhvillime.
Helmimi i nxënësve në Kosovë

Kur në vitin 1989, në Kosovë nisi helmimi misterioz i nxënësve shqiptarë, klima mes shqiptarëve dhe serbëve ishte tashmë e helmuar nga frika, mosbesimi dhe represioni. Në ato ditë të tensionuara, një nga njerëzit që doli publikisht për të folur ishte Alush Gashi, në atë kohë drejtues i Fakultetit të Mjekësisë dhe një nga figurat më të afërta të Rugovës.
“Analizat e para tregonin se nxënësit ishin intoksikuar me rrugë të frymëmarrjes. Kjo ishte qartazi e provueshme. Mjekët serbë u ndanë si me thikë nga shërbimi dhe filluan të besonin idenë e një komploti shqiptar. Në të vërtetë mjekët shqiptarë ishin po ashtu të frikësuar nga ideja e një komploti serb. Mosbesimi mes palëve kishte helmuar atmosferën para helmit misterioz të nxënësve” kujton Mero Baze
Në rrugët e Podujevës shpërthyen protestat. Prindërit shqiptarë akuzonin serbët për helmimin e fëmijëve të tyre. Në atë klimë paniku, Alush Gashi përpiqej të mbante një ton racional.
“Alush Gashi, që drejtonte Fakultetin e Mjekësisë, tha se shkaqet e helmimit ende nuk janë përcaktuar dhe se nxënësit shqiptarë kanë dhimbje koke, marrje mendsh, këputje dhe shqetësime në stomak. Ai tha se jeta e askujt prej tyre nuk është në rrezik.”
Përpjekja për ta futur Kosovën në tryezën e bisedimeve ndërkombëtare
Por roli i tij nuk mbeti vetëm te mjekësia. Në vitet kur Kosova përpiqej të hynte në tryezat ndërkombëtare, Alush Gashi u bë pjesë e ngushtë e ekipit politik dhe diplomatik të Rugovës.
“Pas shpalljes së Qeverisë dhe vendosjes së saj të përkohshme në Slloveni, Ibrahim Rugova dhe përfaqësuesit e Këshillit Koordinues udhëtuan në SHBA për të siguruar mbështetje për fillimin e rrugës së tyre të gjatë të rezistencës paqësore, ku u pritën nga senatorët Bob Dole, Claiborne Pell dhe të tjerë, i shoqëruar nga Joseph DioGuardi. I shoqëruar nga dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Alush Gashi, Rugova u kërkoi zyrtarëve amerikanë të ndikojnë tek Lordi Carrington që në tryezën e bisedimeve të thërrasë dhe shqiptarët" shkruan Baze.
Pjesëmarrës në Konferencën e Londrës
Ishin vitet kur delegacionet shqiptare përpiqeshin të bindnin Perëndimin se Kosova nuk ishte “çështje e brendshme serbe”. Në një mbrëmje gushti, delegacioni shqiptar mbërriti në Londër.
“Konferenca e Londrës për Jugosllavinë kishte bërë një ftesë për pjesëmarrje edhe për përfaqësues të shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi, për t’i relativizuar si probleme të brendshme të republikave. Nga Kosova, përveç Rugovës e Bukoshit, merrnin pjesë Fehmi Agani, Gazmend Zajmi, Mark Krasniqi, Shaqir Shaqiri, Alush Gashi, Avdyl Krasniqi etj” kujton Baze.
Takimi në Qendrën Carter më 1993

Në vitin 1993, emri i Alush Gashit shfaqet sërish në një tjetër moment kyç. Në Qendrën Carter, delegacioni kosovar po përpiqej të bindte diplomacinë amerikane se lufta në Kosovë mund të parandalohej vetëm me ndërhyrje ndërkombëtare.
“Presidenti Jimmy Carter ishte angazhuar në një debat rreth temës ‘Perspektivat rajonale për konflikt’. Konferenca ishte e fokusuar rreth situatës në Ballkan. Ibrahim Rugova, i cili u prezantua nga organizatori i konferencës si ‘udhëheqës i një koncepti të ri për vetëvendosje’, tha se për ta parandaluar konfliktin në Kosovë janë të domosdoshme trupat paqeruajtëse të OKB-së, si dhe një mbikëqyrje ndërkombëtare si fazë kalimtare, derisa të ndalet makina serbe e luftës. Anëtarët e tjerë të delegacionit të Kosovës, dr. Shaqir Shaqiri, dr. Alush Gashi, dr. Isa Zymberi, Muhamet Hamiti dhe Veton Surroi folën për aspekte të ndryshme të problemit të Kosovës” shkruan Baze.
Vizita në Uashington, dhjetor 1994

Më pas erdhi Uashingtoni i vitit 1994.
“Në përpjekje për ta bërë më të fortë kërkesën e Kosovës për prezencë ndërkombëtare në Kosovë, Ibrahim Rugova udhëtoi në fillim të dhjetorit 1994 në Uashington. Rugova shoqërohej nga Edita Tahiri, Alush Gashi, si dhe zëdhënësi i tij Avni Spahiu. Më 2 dhjetor Ibrahim Rugova u prit nga zyrtarët më të rëndësishëm amerikanë të politikës së jashtme” thotë Baze.
Takimi me delegacionin e Dhomës për Marrëdhëniet me Jashtë të Kongresit Amerikan
Në atë periudhë, Alush Gashi ishte kthyer në një nga njerëzit më të besuar të Rugovës për çështjet e shëndetësisë dhe organizimit institucional paralel në Kosovë.
“Delegacioni u nis drejt Kosovës ku qëndroi më 25 dhe 26 prill, ku u takua me Presidentin Ibrahim Rugova, me përfaqësues të palës serbe, si dhe pjesëtarë të shoqërisë civile të Kosovës. Në një takim më të zgjeruar me përfaqësues të arsimit dhe shëndetësisë që funksiononin në sistemin paralel, nga pala shqiptare merrte pjesë dr. Adem Limani, ministër i Shëndetësisë, dr. Zenel Kelmendi, shef i Komisionit të Shëndetësisë në LDK, dhe dr. Alush Gashi, këshilltar i Presidentit për Çështje të Shëndetësisë dhe Probleme Sociale’” thotë Baze.
Pastaj erdhën bombardimet.
“Në ditën e dytë të bombardimeve, serbët kishin rrëmbyer nga shtëpia dhe kishin pushkatuar avokatin e njohur Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e tij. Lajme për vrasje dhe zhdukje intelektualësh vinin çdo orë. Baton Haxhiu, Alush Gashi, Din Mehmeti, Veton Surroi dhe të tjerë u shpallën të zhdukur” kujton Baze.
Kështu mbyllen fragmentet e Mero Bazes për Alush Gashin, një nga njerëzit që qëndroi pranë Rugovës në vitet kur Kosova përpiqej të mbijetonte mes izolimit, represionit dhe luftës.
Komente









