Shuhet Hana, djali: Shteti
nuk zbardh të vërtetën

Shuhet Hana, djali: Shteti<br />nuk zbardh të vërtetën
Djali i prokurorit Hana, Rezarti, student në vit të tretë, dega Juridik në univeristetin shtetëror, i cili ka vendosur të ndjek në profesion të atin, në një intervistë eksluzive për “Shqiptarja.com”, vetëm 3 orë përpara vdekjes së babait, rrëfen sëmundjen e papritur dhe dyshimet e para të familjes, se mos babait i është injektuar sëmundja e rëndë nga faktorë të jashtëm për hir të procesit që po ndiqte, atë ndaj ish funksionarëve të SHIK, të akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha. Ky dyshim i fortë, ju është paraqitur fillimisht mjekëve shqiptarë por ata nuk kanë mundur dot, të japin përgjigje. Ndërkohë mjekët italianë pas vizitave të para dhe intervistave me prokurorin Hana, kanë njoftuar urgjentisht Antimafien italiane, e cila ka nisur monitorimin e analizave dhe hetimin e dyshimeve. Njëzetenjë vjeçari Hana, i cili sapo është kthyer nga Italia, ku ka qenë pranë të atit, tregon gjithashtu me revoltë kalvarin që familja ka kaluar me Ministrinë e Shëndetësisë, për çuarjen jashtë vendit të babait, pas rekomandimit të ekipit të mjekëve shqiptarë që e ekzaminuan. Ai akuzon krerët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe vetë ministrin Petrit Vasili, se edhe pse ishin njoftuar zyrtarisht nga mjekët për urgjencën që paraqiste rasti, për 16 ditë rresht nxorën gjithfarë lloj justifikimesh, duke I rrezikuar seriozisht jetën. Ndërkohë që mjekët italian si shkak të sëmundjes familjarëve deri tani, u paraqesin stresin e madh që prokurori mund të ketë kaluar kohët e fundit, Rezarti rrëfen se babai i tij ka kaluar ditë të vështira që në kohën e hetimit të investimit të dyshimtë, në autostradën Durrës-Kukës. Ndërkohë stresi i është shtuar edhe më shumë gjatë hetimit dhe procesit gjyqësor, ndaj ish punonjësve të SHIK për çështjen "Remzi Hoxha". Xhavit Hana, tashmë 58 vjeç, ka 35 vjet që punon për drejtësinë e shtetit shqiptar, gjithmonë në organin e akuzës. Ai është baba i tre fëmijëve, dy vajza dhe një djal, Rezartin. Familja Hana jeton në një zonë periferike të kryeqytetit, në një banesë modeste, në një pallat parafabrikat të ndërtuar që përpara vitit 1990. Pikërisht në këtë banesë të thjeshtë që shumë prokurorë shqiptar koleg të Xhevatit, "e kanë harruar", i morëm intervistën e mëposhtme djalit të tij, studentit të vitit të tretë në Juridik, Rezart Hanës.

Rezart, kur ju shfaq sëmundja për herë të parë babait?
Babai, është sëmurë papritur në fillim të muajit Dhjetor. Kishte disa ditë që ankohej për dhimbje të forta të këmbëve. Fillimisht ai dhe ne menduam se dhimbjet i vinin nga rishfaqja e një reumatizme të vjetër. Por në datën 12 Dhjetor, pati edhe një hemoragji të papritur të brendshme. Shkuam urgjentisht në Spitalin Nënë Tereza. Kujdesi i mjekëve, faktikisht ka qenë maksimal. Kur panë gjendjen e tij, u alarmuan. Pas ndihmës së parë i bënë të gjitha analizat. Ne të shqetësuar, kërkonim të dinim se nga se vuante, por ata nuk na jepnin dot përgjigje. As ata, nuk e kuptonin dot shkakun e kësaj sëmundje të papritur. Kjo ishte edhe arësyeja që atë natë, ata na thanë se babai duhej dërguar urgjentisht jashtë vendit, mundësisht të nesërmen... Këtë sygjerim, siç janë edhe proçedurat, ja përcollën zyrtarisht edhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Çfarë ndodhi më pas?
Asgjë. Zvarritje pa kuptim, vetëm vërdallisje dhe llafe: Jo po procedurat, jo duhet kohë të gjejmë një klinikë të mirë…ndërkohë gjendja e babait keqësohej përditë.

Si e përjetonte ai këtë situatë duke pasur parasysh, se është një nga prokurorët më të njohur në Shqipëri?
Babai, nuk u ankua në asnjë çast. Kur e kuptoi se çfarë po ndodhte me Ministrinë e Shëndetësisë, pashë që u trishtua më shumë, sesa u mërzit. Nuk bëhet fjalë se ai është prokuror i njohur, por siç thanë edhe mjekët në gjendjen që ishte ai, shteti duhet të ndihmojë çdo qytetar.

Çfarë menduat fillimisht për këtë sëmundje të papritur dhe misterioze të babait?
Të them të drejtën, kur mjekët nuk dinin çfarë diagnoze të jepnin, jo vetëm unë por edhe familjarët e tjerë dhe miq të babait, dyshuam se kjo sëmundje e papritur, kishte të bënte me procesin e "Remzi Hoxhës". Të gjithë e dinë se ai hetim dhe gjyq i gjatë, është shumë i komplikuar dhe me interesa njerëzish të pushtetshëm. Madje doja të njoftoja edhe median fillimisht, por u tërhoqa, derisa të thoshte fjalën e saj mjekësia.

Çfarë u thanë mjekët shqiptarë, në lidhje me mundësinë e ndonjë ndërhyrje dhe faktori të jashtëm që mund të ketë stimuluar sëmundjen?
Ata na thanë se sipas analizave të tyre, nuk u rrezulton një gjë e tillë. Gjithsesi nuk jepnin garanci, sepse me mundësitë që kishin nuk gjenin dot diagnozën e saktë dhe jo më shkakun real të sëmundjes.

Sa kohë pritët përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për kurimin e babait jashtë vendit?.
Plot 16 ditë. Gjendja e tij rëndohej, ndërkohë që përveç premtimeve dhe fjalëve të bukura, dukej hapur se nuk kishte asnjë shans që ajo gjë të ndodhte shpejt. Ndërkohë që sipas mjekëve, jeta e tij ishte në rrezik çdo ditë, çdo orë madje. Atëhere vendosëm familjarisht së bashku me miqtë e babait, që ta nisnim privatisht në ndonjë klinikë të specializuar jashtë vendit, sepse bëhej fjalë për jetë a vdekje. Kështu në datë 28 Dhjetor, e çuam në Itali, në një klinikë në Bergamo.

Ju sapo jeni kthyer që andej, si është babai, çfarë thonë mjekët italian për sëmundjen e tij?
Njësoj është. Kujdesi ka qenë i jashtëzakonshëm, i kanë bërë të gjitha analizat e mundshme dhe vazhdojnë të tjera dhe ta mbajnë sëmundjen nën monitorim. Por ne ende Nuk na kanë thënë gjë konkrete akoma.

Jua ngritët mjekëve italianë dyshimin që kishit se sëmundja e babait mund të jetë shkaktuar artificialisht nga faktorë të jashtëm?
Po që në fillim. Kur mësuan se çfarë pune bën babai në Shqipëri, edhe ata u shqetësuan dhe u njoftua edhe Antimafia italiane, të cilët erdhën në spital dhe kontaktuan me babain, bënë intervista të gjata. Folën edhe me ne dhe natyrisht me mjekët. Ata nisën hetim për rastin dhe vazhdojnë ta mbajnë në monitorim procesin e kurimit dhe analizave të babait.

Ju kanë thënë mjekët italianë, nëse arësyeja e kësaj sëmundje të papritur, ka si shkak faktorë të jashtëm të stimuluar qëllimisht?
Faktikisht, ata na kanë thënë deri tani, se nuk kanë gjetur elementë të jashtëm gjatë analizave të plota të gjakut etj. që mund të jenë futur në mënyra të ndryshme në trupin e babait. Kjo na qetësoi disi por të presim.

Por çfarë shkaku ju kanë dhënë?
Tani për tani, ata dyshojnë se sëmundja e papritur, i ka ardhur nga stresi i madh. Të paktën ne kështu na kanë thënë zyrtarisht.

Ka pasur stres babai juaj kohët e fundit?
Po shumë. Ai është një njeri shumë i përkushtuar pas punës dhe familjes, nuk di si të ta shpjegojë, është i drejtë dhe kur sheh që të tjerët nuk janë ashtu, e vuan.

Ishte i stresuar për procesin ku ai përfaqëson akuzën në Gjykatën e Krimeve të Rënda ndaj ish funksionarëve të lartë të SHIK për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës?
Ai nuk fliste në shtëpi për punën. Por unë di që u stresua shumë, sidomos pasi dështoi ekstradimi i Ilir Kumbaros nga Anglia. Ndihej i zhgënjyer, i trishtuar dhe dërmuar për faktin që këtë proces e pengonin dhe sabotonin pikërisht institucionet që duhet të bëjnë të kundërtën.

E kanë kërcënuar?
Me sa di unë jo. Por di që kishte kuptuar se institucionet e drejtësisë pa përjashtim, nuk ishin të predispozuar që procesi të ecte siç duhet.

Babai juaj ka qenë edhe prokuror i hetimit të skandalit me financat e autostradës "Durrës-Kukës". Si e përjetoj mbylljen pa gjykim të asaj çështje?.
-Edhe në këtë rast është stresuar dhe mërzitur shumë. Sidomos pas mbylljes së procesit, kur e hoqën nga Prokuroria e Përgjithshme. U zhgënjye shumë, ju duk si "dënim" për punën voluminoze dhe plot andralla politike që kishte bërë.

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza