Shuhet Sheri Mita, kolegët:
Ja si e kujtojmë aktorin

Shuhet Sheri Mita, kolegët:<br />Ja si e kujtojmë aktorin
TIRANË – Një ditë më parë familjarët dhe kolegët kanë përcjellë për në banesën e fundit, aktorin e njohur Sheri Mita. Mes dhimbjes dhe kujtimeve ata kanë risjellë në mendje punën me Sherin.
Në një intervistë për Shqiptarja.com, Sulejman Dibra, ish-drejtor i Estradës së Tiranës dhe aktorja Rita Lati rrëfejnë kujtimet e tyre.


Si e ke njohur Sheri Mitën?
-E kisha vëlla, shok, koleg. Kishim mbaruar akademinë bashkë. Sheri ishte i talentuar. Kishte një zë të mrekullueshëm, kishte një plastikë të rrallë. Kishte një mendim shumë-shumë të thellë. Këto cilësi e bënë atë një aktor shumë të kërkuar. Mund ta kujtojmë Sherin në shumë momente në role dhe mund të më thoni ju: “i madh është, është ë vërtetë”. Mjafton të kujtosh një rol dhe të ngelesh pa fjalë. Te nënë Pashakoja është ai personazhi në një rol me këmbë të prerë që i kërkon ujë asaj dhe mënyra sesi e thotë “Do të pi ujin e nënë Pashakos”, ngelet një batutë filmike nga më të bukurat. Ai mbetet i pakonceptueshëm si ka arritur role të tilla.

Cili ka qenë profili i tij si aktor?
-Sheri Mita është dhe aktor bashkëkohor, sepse ka vijuar me luajt. Më kujtohet sesi për filmin “Lindje-perëndim-lindje” ai erdhi deri në Lushnje i lodhur siç ishte për ta luajtur shumë mirë. Kishte rolin e kryetarit të kooperativës me dy-tre skena dhe e luajti me shumë dëshirë. Nuk lodhej kurrë. Para ca ditësh më kërkoi për të diskutuar për “Këshillën e Ndrikullave” që e kishte vënë në skenë në teatrin “Migjeni” në Shkodër me Tano Banushim, Tinka Kurtin dhe pati sukses ajo komedi. Ai e rinovoi e pruri në kohë dhe ky ishte pengu i tij i fundit. Por pengu i tij më i madh ishte që ai u largua në vitet ‘70 nga Teatri Kombëtar. E larguan padrejtësisht për arsye se kishte një baba në Amerikë.

Thuhet se pengu i tij ishte që nuk pati një rol të madh?
-Nuk do ta quaja kështu. Ato që ka bërë janë role karakteresh, vërtetë të vogla, por nuk janë më pak të rëndësishme sesa të mëdhenjtë. Të lozësh sot një karakter zëvendëson edhe një rol i madh, mjafton të mbetesh në kujtesën e njerëzve. Ai punoi me dashuri derisa e mposhti sëmundja. Ne dy filmat e fundit i luajtëm bashkë. Sheri Mita shkëlqeu jo vetëm si regjisor dhe skenarist, por edhe si njeri me shumë vlera.


RITA LATI, AKTORE
Sheri Mita ishte i talentuar edhe si aktor e regjisor i humorit. Është një jetë e tërë që kemi punuar bashkë me Sherin. Unë do të veçoja momentin kur kemi punuar bashkë në Teatrin Kombëtar në kulmin e tij artistik, në shkëlqimin e tij. Dhe në këtë kulm e hoqën direkt për punë biografirash dhe e çuan në Berat. Por ai edhe atje pa pikë dëshpërimi bëri një revolucion të madh në Estradën e Beratit. Humori i tij buronte, aq sa ishte tragjik, aq ishte komik, por mbi të gjitha ishte një artist universal. Nuk duhet të harrojmë se e zhvilloi Estradën e Beratit, saqë sot falë tij mbeti traditë e çmuar që sot ju e keni parasysh.

(aq/shqiptarja.com)





  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza