TIRANE- “Të gjithë janë të çmendur”, quhet monodrama me skenar dhe regji nga Naun Shundi, e cila do të ngjitet në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në datat 14 dhe 15 qershor. Monodrama do të interpretohet nga Ervin Bejleri.

Në këtë vepër rrëfehet historia e një personazhi që ka jetuar në diktaturë dhe vazhdon të jetojë edhe sot në realitetin e ri. Heroi pa emër rrëfen me sinqeritetin e tij deri në naivitet të gjithë kronologjinë e jetës. Realiteti i ri është i papërtypshëm për të, pasi situatat komike në dukje e përshtjellojnë emocionalisht e logjikisht vazhdimësinë e përditshmërisë së tij, duke e paraqitur si të çmendur përballë hipokrizisë e lëmshit të zakonshëm metropolitan.

Personazhi i kësaj monodrame “ka lindur gabim”, në kohën e gabuar dhe në vendin e gabuar. Komizmi i tij tragjik shpërfaq transformimin që njeriu ka bërë në kalimin e viteve e sistemeve, duke u tjetërsuar dhe zhveshur nga gjithçka humane dhe jetësore. Monodrama do të shoqërohet me muzikën e Endri Sinës, asistent regjisore është Ermela Ruri.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 12 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)