Projekti i përbashkët i Francës dhe Gjermanisë për ndërtimin e një avioni luftarak të ri duket se ka dështuar. Corriere della Sera shkruan se avioni i quajtur FCAS “është praktikisht i vdekur” dhe mungon vetëm njoftimi zyrtar.
Ky projekt ishte nisur në vitin 2017 nga Franca dhe Gjermania, me synimin që Europa të kishte avionin e saj modern luftarak, pa u varur nga SHBA. Në projekt ishte përfshirë edhe Spanja.
Por prej vitesh, Franca dhe Gjermania janë përplasur për ndarjen e punës dhe kontrollin e teknologjisë. Gjermania ka akuzuar Francën se donte të mbante shumicën e prodhimit për vete, ndërsa pala franceze ka thënë se mund ta ndërtojë avionin edhe e vetme.
Sipas mediave, Gjermania po mendon seriozisht të largohet nga ky projekt dhe të bashkohet me një program tjetër avionësh luftarakë, ku marrin pjesë Britania e Madhe, Italia dhe Japonia. Kjo lëvizje ka alarmuar Parisin.
Presidenti francez Emmanuel Macron, sipas mediave franceze, i ka kërkuar shpjegime kancelarit gjerman Friedrich Merz, pasi një largim i Gjermanisë do të ishte një goditje e rëndë për bashkëpunimin franko-gjerman dhe për idenë e mbrojtjes së përbashkët europiane.
Gjermania ka nevojë për një avion të ri luftarak dhe po kërkon zgjidhjen më të shpejtë dhe më të leverdishme. Projekti alternativ, ku bën pjesë edhe Italia, shihet si më funksional. Nga ana tjetër, Franca po përpiqet ta shpëtojë projektin FCAS, pasi dështimi do të ishte një sinjal i keq për unitetin europian.
Komente









