Ali Khamenei u godit në momentin kur mendonte se ishte më i sigurt. Sipas një versioni të ngjarjes së publikuar nga Financial Times, Izraeli dhe SHBA e eliminuan liderin suprem iranian me një operacion ku teknologjia dhe faktori njerëzor u ndërthurën në sekondat vendimtare.
Sipas burimeve të gazetës britanike, njësia izraelite 8200 kishte kohë që kishte hakuar kamerat e trafikut në Teheran. Përmes tyre monitoronte hyrje-daljet në kompleksin e madh ku ndodhej qendra e komandës dhe ku qëndronte Khamenei. U rindërtuan lëvizjet e gjeneralëve, oraret, rutina e përditshme. “E njohim Teheranin si Jerusalemin”, citohet të kenë thënë burime izraelite.
U prit momenti i duhur: një seri mbledhjesh me drejtuesit kryesorë të regjimit. Paralelisht, u ndërhy edhe në rrjetin telefonik. Telefonat rezultonin vazhdimisht “të zënë”, duke vështirësuar komunikimin e aparateve të sigurisë. Edhe pse një sulm ishte i pritshëm, alarmi nuk funksionoi.
Goditja përfundimtare, sipas këtij versioni, erdhi nga një burim i drejtpërdrejtë i CIA-s. Ai konfirmoi se Khamenei ndodhej në qendrën e komandës dhe se nuk kishte zbritur në bunkerin më të thellë. Në atë moment, avionët izraelitë F-15 lëshuan 30 raketa Black Sparrow me rreze deri në 2 mijë kilometra. Një breshëri që shkatërroi një pjesë të kompleksit qeveritar dhe vrau Khamenein, bashkëpunëtorët dhe rojet e tij.
Financial Times kujton se ky operacion është kulmi i një fushate të gjatë infiltrimi që daton nga fillimi i viteve 2000, e konceptuar nga ish-shefi i Mossadit, Meir Dagan, me urdhër të kryeministrit të atëhershëm Ariel Sharon. Për vite me radhë, agjentët izraelitë rekrutuan burime lokale, organizuan sabotime, atentate ndaj shkencëtarëve dhe madje vodhën arkivin bërthamor iranian.
Sipas medias arabe Al Arabiya, kjo “ushtri e padukshme” mund të jetë rikthyer në veprim paralelisht me bombardimet ajrore. Ndërkohë, duoja Donald Trump–Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar valë të re sulmesh, që mund të përfshijnë edhe qeliza të armatosura brenda Iranit.
Megjithatë, në kohë lufte, versionet e ngjarjeve shpesh përzihen me propagandën. Siç ndodhi edhe me vrasjen e Ismail Haniyeh në Teheran në korrik 2024, ku qarkulluan disa skenarë e versione për mënyrën e eliminimit. Edhe këtë herë, prapaskenat e vërteta mund të mbeten të mjegullta./CorrieredellaSera
Komente










