Negociatat e ndërmjetësuara vrullshëm në Tiranë nga ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin, u përmbyllën më shpejt se ç’pritej nga Komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn në Bruksel. Të paktën deri në orë 21:00 të mbrëmjes së djeshme. Ai pati një sërë telefonatash, duke filluar ditën e martë me kreun e Kuvendit Ilir Meta, prej të cilit u njoh me pretendimet e palëve. Mësohet se Meta e ka informuar komisionarin se si shkoi takimi trelateral mes Ramës, Metës dhe Bashës, ku munguan ambasadorët e BE-së dhe SHBA-ve. Komisioneri ka telefonuar po ashtu edhe kryeministrin Rama dhe gjatë ditës së djeshme, edhe kryetarin e opozitës, Basha. Pasi është njohur me këto qëndrime, Hahn ka marrë komunikime edhe me ambasadoren e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin e cila po ashtu ka dhënë dhe sqarimet teknike e ndihmuar nga misioni i BE-së, EURALIUS.
/Shqiptarja.com










