Përpos garancisë financiare dhe juridike, hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe prokurorët e Prokurorisë së Posaçme do t’u garantohet edhe siguria fizike. Drafti për institucionet anti-korrupsion, parashikon që drejtorit, zëvendësdrejtorit dhe hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit si dhe anëtarëve të familjeve të tyre, për shkak apo gjatë ushtrimit të detyrës, u sigurohet mbrojtje personale e jetës, shëndetit dhe pronës. Por, mbrojtja vendosje vetëm nëse kërkohet nga drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Po ashtu, kryetarët e gjykatave, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit mbrohen me shoqërim, me oficer e nënoficer. Ndërkaq, drafti parashikon që gjyqtarët dhe prokurorët do të shoqërohen me oficer. Nëse kërkohet përkatësisht nga kryetari i gjykatës apo drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, sigurohet mbrojtje për anëtarëve e familjes, banesat dhe/ose eskortë për gjyqtarët dhe prokurorët. Në draft parashikohet që oficerët dhe nënoficerët e caktuar për sigurinë e gjyqtarëve, prokurorëve, anëtarëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, familjeve dhe banesave të tyre nuk zëvendësohen pa marrë paraprakisht miratimin e kryetarit të gjykatës, drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme apo drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, përkatësisht.

Siguria e ambienteve
Drafti për institucionet anti-korrupsion parashikon që Policia e Shtetit garanton në mënyrë të vazhdueshme sigurinë e mjediseve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të Prokurorisë së Posaçme dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Shërbimet e sigurisë të Policisë së Shtetit kryejnë detyrat e tyre nën drejtimin dhe mbikëqyrjen e kryetarit të gjykatës përkatëse kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme dhe të drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, respektivisht.

Standardet e sjelljes
Drafti parashikon standarde të forta sjellje për administratën e drejtësisë së re, përfshirë edhe punonjësit e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Punonjësit e Byrosë janë të detyruar të bëjnë deklarim financiar vjetor në Inspektoratin e Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive dhe Konfliktin e Interesit. Mosdeklarimi ose deklarimi jo i plotë apo i rremë përbën shkak për pezullim të menjëhershëm dhe shkarkim të mundshëm. Po ashtu, janë të detyruar t’i dorëzojnë Oficerit Përgjegjës të Byrosë një deklaratë ku të rendisin të gjithë anëtarët e familjes të vetë  punonjësit dhe bashkëshortin/es: fëmijët, nipërit, motrat/vëllezërit, prindërit, gjyshërit, tezet/hallat, xhaxhallarët/dajat, kushërinjtë e parë, si dhe kushërinjtë e dytë. 

hetuesit

Redaksia online
a.n shqiptarja.com