Report Tv ka siguruar të dhëna të reja nga hetimet e SPAK për Ergys Agasin, i ndihmuar gjatë arratisë nga ish-drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, si edhe nga shefi i sektorit të laboratorit të Policisë Shkencore, Fatjon Kalluçi dhe kamerieri Embro Sulejmani.
Sipas burimeve, në gusht para arrestimit të Agasit, Kalluçi dyshohet se i dërgoi 3 fotografi të ekspertizës së makinës së tij “Land Rover Defender”, i sekuestruar gjatë kontrolleve në Equos Resort, ku SPAK gjeti 9 faqe dokumente sekrete të SHISH.
I njëjti burim thotë për Report Tv se Kalluçi, i akuzuar për nxjerrje të sekretit shtetëror, e informonte Agasin se provat kishin mbërritur të paketuara në laborator për t’u ekzaminuar për gjurmë ADN-je. Ndërsa Agasi kërkonte të dinte kur ishte kontrolluar makina dhe çfarë dokumentacioni ishte mbajtur për sendet e gjetura brenda saj.
“Nuk e di, vlla, çfarë të them, se këqyrja nuk është bërë tek ne. E kanë bërë vetë ata”, mësohet t’i këtë shkruar Kalluçi-Agasit, ndërsa i sqaronte se kontrolli i makinës ishte kryer nga hetuesit dhe se laboratori kishte marrë vetëm provat për ekspertim. Ai shprehej se do të kërkonte edhe procesverbalin e këqyrjes për t’ia dërguar Agasit.
Lajmi kryesor:
Dosja Agasi-Hyseni/ SPAK: Rrjet ndërkombëtar në funksion të grupit kriminal, Vlora Hyseni mund të arratiset përmes tyre! Ergys Agasi 2 izraelitëve: Shefen e SHISH e kam shoqe të ngushtë








