Si e shohin aleatët liderin Basha?
"Tani yje me bisht nuk ka këtu!"

Si e shohin aleatët liderin Basha?<br />
TIRANE - Pas ish-kryetares së Kuvendit  Jozefina Topalli edhe aleatët e PD i kërkojnë kryetarit të opozitës Lulzim Basha ashpërsim të reagimit opozitar përballë maxhorancës.  

Në një intervistë për Report Tv kryetari i Partise Republikane Fatmir Mediu  ndërsa vlerëson  rrugën që ka ndjekur  lidershipi demokrat  prej rreth tre vitesh  shprehet se reagimi duhet të jetë edhe më i fortë.

Ky reagim mbështetet  edhe nga kreu i LZHK  Dashamir Shehi, i cili ndonëse vlerëson performancën e Bashës në aksionin opozitar mendon se ka vend për përmirësime pasi siç thote ai Basha ka një mision të vështirë për të kryer.

"Duhet një veprim opozitar i cili nuk duhet të përqendrohet vetëm në Tiranë. Duhet një drejtim opozitar i cili duhet të lidhet me çdo familje shqiptare në çdo kënd të Shqipërisë pra të jemi shumë proaktiv me qytetarët shqiptar kudo që ata janë. Opozita nuk mund të pres te vijë në pushtet për shkak të konjekturave të së majtës kjo do të ishte e pafalshme do thosha deri fatale për opozitën", shprehet Mediu . 
 
"Duhen disa ndryshime në imazhin. Nuk them që zoti Basha është Çurçilli. Zoti Basha është një djalë i ri i cili ka marr një peshë të madhe. A ka më të mirë se zoti Basha? Edhe mund të ketë. E konsiderojmë zotin Basha një lider të pranueshëm, tani yje me bisht nuk ka këtu, kometa që zbresin nga qielli", thote Shehi.

Dorëzimi i mandatit as nuk shihet si opsion për Fatmir Mediun dhe Dashamir Shehin. Sipas aleatëve të PD-së mënyra më e mirë e reagimit duhet të vijë përmes debatit dhe detyrimit të maxhorancës për implementimin e ligjit të dekriminalizimit që do t'i largonte deputetët e inkriminuar nga parlamenti.

"Unë mendoj që dorëzimi i mandatit nuk bën asnjë gjë tjetër veçse krijon një raport opozitar shumë të dobët në një institucion shumë të rëndësishëm që është Kuvendi. Dorëzimi përballë asaj çka bën mazhoranca për lidhjet e mazhorancës me krimin. Problemet që ajo përcjell në Kuvend, problemet e qeverisjes së sotme mendoj se nuk zgjidhen duke lënë mandatet", tha kreu republikan. 

"Këtu jemi në kufijtë e groteskut politik, për çfarë do të dorëzohen mandatet. Këto njerëz që janë sot, sigurisht që nuk janë burra të mirë në parlament. Por ishin dhe para 3 muajsh, edhe para 1 viti ndërsa tani unë them që ka ardhur momenti që ligji i dekriminalizimit të zbatohet që të shohim që disa prej këtyre të dalin jashtë", tha kreu i LZHK-së.

Për këto çështje  foli në të njëjtën linjë, një ditë më parë edhe ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Vranësira e reshje shiu, parashikimi i motit për sot

Vranësira e reshje shiu, parashikimi i motit për sot