TIRANE - Nuk është respektuar gjithnjë statusi i Partisë Demokratike në zgjedhjen apo shkarkimin e kryetarëve të PD. Që në fillim kryetari i PD është zgjedhur nga Këshilli Kombëtar, por dhe shkarkimet e bujshme janë bërë po nga Këshilli Kombëtar i PD, forumi drejtues më i rëndësishëm dhe vendimmarrës në periudhën mes dy kongreseve.

Kështu ka ndodhur me zgjedhjen e Berishës në krye të PD në shkurtin e vitit 1991, por dhe të Selamin në krye të PD pas largimit të Berishës drejt Presidencës si kreu i shtetit. Por në memorien e shqiptarëve ka mbetur për tu shënuar shkarkimi me ceremoni i Eduart Selamit nga kryetar i PD.
Asokohe, pas humbjes së referendumit për Kushtetutën, të cilin e udhëhoqi Berisha, Selami kërkoi bashkimin e postit të kryetarit të PD me atë të kryeministrit, duke i kërkuar Berishës largimin e Meksit nga posti i kreut të qeverisë.

Pikërisht një kërkesë e tillë dhe krijimi i idesë se ishte me të vërtete kryetar i PD, ndërkohë që kryetari real ishte presidenti ia saj kohe Berisha, bëri që Selami të shkarkohej nga mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD në pallatin e lojrave me dorë “Fahrije Hoti”, pa e pyetur fare dhe pa dëgjuar as fjalën e tij të mbrojtjes.

Madje nuk e lanë të hyjë as në mbledhje, përjashtim që solli dhe “syrgynin” e tij politik për 17 vite me radhë, derisa më 23 qershor kandidoi dhe ëhstë tashmë deputet i sigurtë në Parlamentin e Shqipërisë.

Pas kësaj në PD s’ka pasur histori, pavarësisht se kongresi me statu bënte zgjedhjen e kryetarit të PD, herë e herë dhe me kandidatë fiktivë rivalë, gjithnjë me 99 përqind të votave është zgjedhur kryetar Sali Berisha. Tashmë jemi në pritje çfarë do ndodhë në vjeshtë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)