Policia Rrugore ka forcuar kontrollet në të gjithë vendin, duke përdorur radarë inteligjentë dhe dronë për monitorimin e trafikut dhe rritjen e sigurisë në rrugë.
Në vetëm një javë, aksioni ka dhënë shifra të larta kundër shkeljeve. Sipas të dhënave të Policisë, janë vendosur 21 931 masa administrative dhe janë arrestuar 36 drejtues mjetesh. Prej tyre, 22 janë kapur duke drejtuar në gjendje të dehur, ndërsa 14 pa leje drejtimi.
Kontrollet janë shtrirë si në akset kombëtare, ashtu edhe në qendrat urbane. Në qytete, janë vendosur 11 526 gjoba për parkime të gabuara, ndërsa në dhjetëra raste janë përdorur edhe karrotrecë për largimin e automjeteve nga korsitë dhe trotuaret.
Në rrugët nacionale, janë ndëshkuar 4 775 drejtues për shpejtësi mbi normat e lejuara.
Shkeljet e tjera përfshijnë 1 224 masa për mosvendosje të kaskës, 302 për mosvendosje të rripit të sigurimit dhe 789 për përdorim të celularit gjatë drejtimit. Po ashtu, janë vendosur 1 235 gjoba për parakalime të gabuara dhe 83 për drejtim mjeti në efektin e alkoolit.
Policia ka ndëshkuar edhe sjelljet e rrezikshme në qytete, me 139 masa për zhurma dhe manovra të rrezikshme, si dhe 1 858 masa për shkelje të tjera të konstatuara gjatë monitorimeve.
Për shkak të fluksit të pritshëm gjatë fundjavës drejt zonave turistike dhe bregdetare, Policia Rrugore ka shtuar patrullimet dhe kontrollet me mjete inteligjente në akset kryesore.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit, duke paralajmëruar se çdo shkelje e evidentuar do të ndëshkohet dhe do të pasqyrohet në sistemin e-Albania.
Për çdo emergjencë apo denoncim të shkeljeve rrugore, qytetarët mund të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.
Komente












Forcimi i regullit per zbatimin e K Q RR eshte detyre e Shtetit e nese drejtuesit e mjeteve nuk i zbatojnebrregullat .Teperdorenbtebgjitha mjetet dhe masat per te patur nje qarkullim normal .Nese behet kjo do te thot se shteti funksionon .
Përgjigju