Frika e kryeministrit Rama në sfidën e sigurisë ushqimore nuk është as koha, as aftësia e bizneseve, por neglizhenca. Duke u ndalur te sektori i qumështit, ai tha se duhen plotësuar hallkat pasi në gjendjen që është nuk u mbijeton kërkesave të BE. Tashmë, kontrollet shtetërore do të jenë në kuadër të një ndihme ndaj bizneseve për të përmbushur standardet europiane.

“Sektori i qumështit nuk do t’u mbijetonte dot kërkesës së standardeve sepse është gjithë zinxhiri që duhet garantuar, jo thjesht një hallkë. Unë kam parë disa që janë me makineri të fjalës së fundit, të certifikuara në disa aspekte, por zinxhiri është i mangët. Ne duhet ta plotësojmë dhe vijmë te nevoja për standard dhe unë nuk i trembem kohës që kemi në dispozicion, është e mjaftueshme. Nuk i trembem aftësive të atyre që kanë investuar në 900 pika, i trembem vetëm neglizhencës alla shqiptarçe që hë se ka kohë, hë se do ta gjejmë një rrugë si t’ia rrëshqasim (BE) topin ndër shalë. Natyrisht që vjen pjesa e shtetit se nuk është ushtrim i ndarë që duhet ta bëni ju dhe ne thjesht çojmë kontrollin. Kontrollet janë të vlefshme për t’ju ndihmuar. Nuk do të jenë kontrolle ndëshkimore, por mision kombëtar për një nga hallkat e ekonomisë sonë që të gjithë njerëzit të marrin fillimisht informacion të plotë se ku ndodhen. Kontrollet do të lënë porosi dhe do të rikthehen për të parë zbatimin. Ne duhet të krijojmë sistemin e qëndrueshëm, por edhe mbështetëse të çdo sipërmarrjeje që nuk po shkel ligjin, por ka nevojë të rrisë standardet”, tha Rama.

Rama tha se do të punohet edhe me pikat kufitare për të qenë më të përgatitur në kontrollet e produkteve ushqimore.

“Pikat e kontrollit kufitar janë një tjetër pikë e dobët që do ta adresojmë për të lehtësuar dhe zhdërvjelltësuar shtetin në kryerjen e detyrës pa u bërë pengesë dhe mur në kufijtë e vendit. Kemi një plan konkret investimesh akreditimi të laboratorëve, përmirësim të kontrollit kufitar, infrastrukturë dixhitale dhe përmirësim të ndërveprimit me ju", tha Rama.


Lajmi kryesor:

Siguria ushqimore, Rama: Sfida më e vështirë e anëtarësimit! ‘Pikat e dobëta‘, thertoret dhe sektori i qumështit