/ATSH-E.Xhajanka/- Siguria Ushqimore përbën një prej temave kryesorë që qeveria shqiptare duhet të përmbushë duke kryer reforma konkrete për hapjen e negociatave për në BE. Në këtë kuadër Ministria e Bujqësisë do të nisë një reformë të thellë për sa i përket sigurisë ushqimore, të cilësuar prioritet të prioriteteve për 2015.
Reforma do përfshijë të gjithë hallkat e zinxhirit të produktit, që nga kontrolli i kafshëve e deri te tregëtimi. Burime nga ministria e Bujqësisë bëjnë të ditur se, reformë do të jetë tërësore për sa i përket Sigurisë Ushqimore. Kjo reformë do të konsistojë kryesisht në linearizimin dhe vertikalizimin e përgjegjësive për çdo sektor dhe për çdo hallkë. Konkretisht për shembull veterinaria nuk do të jetë një aktivitet i shpërndarë në tre apo katër struktura, siç ka qenë deri më sot, ku për shërbimin veterinar kishte përgjegjësi edhe Ministria e Bujqësisë edhe AKU-ja edhe Pushteti Lokal, apo edhe Shërbimi Veterinar publik e privat.
Tashmë përgjegjësia inspektuese do të jetë totalisht në kompetencën e AKU-së. Po kështu, analiza e riskut do të jetë në kompetencën e një institucioni shkencor siç është ISUV, ndërsa politikbërja totalisht e përqendruar në Ministrinë e Bujqësisë.
Reforma në sektorin veterinar mbështet në katër shtylla kryesore. Ku do të kryhen ndërhyrje në strukturat shtetërore dhe ato private.
Reforma e Administratës Qendrore
Administrata qendrore pranë MBZHRAU do të reformohet nën një drejtori të përgjithshme e cila do të përpilojë politikat dhe do të koordinojë aktivitetet në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes se bimëve. Drejtoria do të merret kryesisht me politikat, legjislacionin, administrimin dhe financën, menaxhimin e burimeve njerëzore, trajnimet, dhe auditimin e zbatimit të programeve. Kjo drejtori do të operojë përmes shërbimit veterinar zyrtar rajonal që do të mbikqyrë të gjithë veprimtarinë veterinare. Funksionet e shërbimit veterinar të unifikuar do të jenë në përputhje me kompetencat e shërbimit veterinar që janë parashtruar nga Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve (OIE) dhe rekomandimeve te Zyrës së Ushqimit dhe Veterinarisë në BE (FVO).
Reforma në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit
Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), i delegohen funksionet e Shërbimit Veterinar të Pushtetit Vendor. Përmes këtij hapi përgjegjësia për kontrollin e produkteve me origjinë shtazore do të kalojë nën AKU si e vetmja trupë inspektuese për ushqimet çka nënkupton një harmonizim me të mirë të kontrollit dhe optimizmi të kostove financiare.
Reforma në Institutin e Sigurisë Veterinare
Sistemi i vlerësimit të riskut, do të reformohet ku vlerësimi i riskut për shëndetin e kafshëve, sigurinë ushqimore dhe të ushqyerit të kafshëve do të jetë nën përgjegjësinë e ISUV. ISUV do të sigurojë këshilla shkencore të pavarura dhe komunikim të qartë mbi rreziqet emergjente dhe ekzistuese në linjë me parimet e Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve dhe Autoritetit të Sigurisë Ushqimore Evropiane. Nga ana tjetër për të rritur cilësinë dhe mirë menaxhimin e diagnostikës veterinare dhe të sigurisë ushqimore nën ISUV, do të krijohet rrjeti kombëtar i laboratorëve të sigurisë ushqimore dhe veterinarisë.
Reforma e shërbimit veterinar privat
Ministria do të promovojë ndërtimin e stacioneve dhe klinikave veterinare private sipas modelit të zbatuar në vendet evropiane. Ky hap do të formalizojë tregun e punës së 1200 veterinerëve privat. Formalizimi do të përmirësoje cilësinë e shërbimeve veterinare si kontrolli i sëmundjeve, vaksinimi, identifikimi dhe regjistrimi i kafshëve. Stacionet veterinare do ndërmarrin veprime kontraktuale në formën e Partneritetit Publik-Privat të mbështetura nga autoritetet veterinare. Veprimet kryesore të shërbimit do të mbikëqyren nga njësi e specializuar në auditi në Drejtorinë Veterinare.