TIRANE- Personat të cilët janë të punësuar dhe paguhen me një pagë mesatare, kanë mundësi të marrin pension maksimal nëse kryejnë sigurim vullnetar për më shumë të ardhura për vitin koherent. Sipas drejtoreshës së Kontributeve në Institutin e Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor, Teuta Muço këtë të drejtë e ka çdo person i cili ka mbushur moshën 18 vjeç dhe është në marrëdhënie pune. “Çdo person që ka mbushur moshën 18 vjeç dhe është në marrëdhënie pune ka të drejtë të bëhet klient i skemës së sigurimit vullnetar si pjesë përbërëse e sistemit të Sigurimeve Shoqërore, duke paguar sipas dëshirës, në bazë të kushteve të përcaktuara në aktet ligjore dhe nënligjore që disponon ISSH-ja.

Qytetarët që janë në marrëdhënie pune dhe sigurohen si: punëdhënës, të vetëpunësuar dhe punëmarrës në kufijtë e pagave nga minimale në maksimale, munden të paguajnë kontribute, për të përfituar një pension më të lartë, në momentin që do tu lindë kjo e drejtë” pohon Muço. Sipas saj, kushdo mund të sigurohet vullnetarisht për një pension më të mirë deri në kufirin e pagës maksimale. Por si mund të bëhet konkretisht ky lloj sigurimi për të përfituar pensionin e lartë? “Nëse një person derdh kontribute për një pagë prej 55 mijë lekësh në muaj, ky person mund të sigurohet vullnetarisht për një pagë prej 40 130 lekë, kontributi që duhet të derdhë për këtë pagë llogaritet nga punonjësit e sigurimit vullnetar.

Të dyja pagat 55 000 lekë + 40 130 lekë japin pagën maksimale 95 130 lekë, të përcaktuar me VKM, që për momentin është paga tavan deri ku mund të derdhësh kontribute” pohon drejtoresha e kontrubiteve ne ISSH. Sipas saj, kjo e drejtë kufizohet nga afati kohor, që duhet të jetë të paktën 3 vjet para se personi të mbushë moshën për pension. Por nga sigurimi vullnetar nuk mund të përfitohet vetëm pensioni maksimal, nga kjo skemë mund të përfitojnë edhe emigrantët, bujqit apo gratë shtatzëna.

Po kështu edhe personat të cilët janë në prag të moshës për pension por nuk kanë vitet e sigurimit mund ti plotësojnë nëpërmjet sigurimit vullnetar, duke plotësuar dy kushte kryesore që janë mosha dhe vjetërsia në punë. “Për përfitimin e një pensioni të pjesshëm kërkohen 15 vite sigurimi në punë.

Aktualisht ka shumë shtetas që janë në prag përfitimi por që ju mungojnë 1 ose disa vite sigurimi.  Në këto kushte, edhe periudhat e mbuluara humbasin.  Mjafton që personat t’i mbulojnë me sigurim vullnetar këto vite të munguara e të plotësojnë deri në 15 vjet sigurime për të përfituar një pension të pjesshëm”, thekson Muço. Sipas saj, përfitues të skemës janë edhe emigrantët.  

Shkrimi u publikua sot (18.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com