Sigurimi i Shtetit, kërkohet
hapja e dosjes së Sali Berishës

Sigurimi i Shtetit, kërkohet<br />hapja e dosjes së Sali Berishës
Ish të përndjekurit politikë kërkojnë identifikimin e bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit, të maskuar prej 25-vitesh si ish të persekutuar, disidentë dhe antikomunistë të flaktë.

Kreu i Partisë Rruga e Lirisë, Kurt Kola, është shprehur dje për Shqiptarja.com, se në emër të ish të përndjekurve dhe partisë që drejton, do t’i kërkojë autoritetit për hapjen e dosjeve, të hapë dosjet e disa figurave të rëndësishme të politikës shqiptare dhe disa personazheve që përfaqësojnë sot shtresën e të përndjekurve.

Kola ka pohuar se ish-kryeministri Sali Berisha do të jetë në krye të listës së personave, për të cilët do të kërkohet informacion rreth raportit të tyre, nëse ka, me ish-Sigurimin e Shtetit. Po ashtu do të kërkohet informacion mbi të dhënat e mbledhura nga Sigurimi i Shtetit për personat në fjalë.

“Ne do të bëjmë kërkesa që të hapen dosjet për të gjitha krerët e partive politike. Për drejtuesit dhe ish-drejtuesit e shtetit. Për drejtuesit e shoqatave, institucioneve etj. Sali Berisha do të jetë në krye të listës, i cili prej 25 vitesh hiqet si antikomunist. Të shohim rolin e tij të vërtetë gjatë diktaturës. Por, mund të them se do kërkojmë hapjen e dosjeve duke filluar që nga dosja ime”, tha Kola. Po ashtu, Kola ka artikuluar një mesazh edhe për një nga drejtuesit e shoqatave të ish të përndjekurve.

“Spiunët, të maskuar si të përndjekur politikë, me kryespiunin B. Ndregjoni, morën urdhër nga padronët e tyre dhe dolën kundër shtresës së persekutuar! Por këto sorra janë në grahmat e fundit, sepse tani do t'ju hapim dosjet dhe t' i demaskojmë që të mos kenë fytyrë të dalin në publik para të cilit deri tani kanë qenë me maska... Spiunë të vjetër e të rinj mbaroi epoka e poshtërsive tuaja”, është shprehur Kola.

Spiunët në PD
Edhe pse ka dyshime të forta se dosjet më të rëndësishme janë zhdukur, hapja e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit është gjithsesi një burim kryesor shqetësimi për shumë deputetë të PD-së, që për momentin njihen vetëm me emrat e koduar të përdorur gjatë spiunimeve të tyre. Ish-kryeministri Sali Berisha, ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe shumë figura të tjera të Partisë Demokratike janë lakuar dhe akuzuar shpesh për lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit. Këta janë vetëm disa prej pseudonimeve, të deputetëve dhe ish-deputetëve të PD që kanë qenë ish-spiunë dhe që pritet të zbulohen gradualisht në muajt në vazhdim: “Këndesi”, “Gjeli”, “Çorapja”, “Sqepi”, “Masoviku”, “Çiklisti”, “Shishja e Qumështit”, “Naftëtari”, “Alfons Ballsha”, “Demoni”, “I Vogli”, “Qukapiku”, “Dizenjatorja”, “Inxhinjeri”, “Medicina”, “Çiftelia”, “Nemërçka”.

Akuzat për Berishën
Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, kohë më parë, akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha, për lidhje me UDB e ish-Jugosllavisë. Balla tha se dosja e Berishës gjenden në arkivat e Beogradit. “Faktet janë të pakontestueshme dhe origjinale. Jemi në pritje të disa dokumenteve të tjera. Në dosjet e ish-UDB fshihen dokumente të përfshirjes së Sali Ram Berishës në shërbimet sekrete jugosllave. Një tekst i shkurtër në gjuhën serbe në dokumentet të cilave iu referova. Përkthyer në shqip: U kontaktua me agjentin tonë në Tiranë. S. Berisha ka raporte shumë të mira me udhëheqjen komuniste. 5 Janar 1987”, ka pohuar Balla.

Zhduken dosjet e spiunëve të UDB
Viron Bezhani, biri i Nazif Bezhanit, kryetarit të komisionit të famshëm për verifikimin e zyrtarëve të lartë për lidhjet me ish-Sigurimin e Shtetit, ka deklaruar disa ditë më parë për Shqiptarja.com se një ish-punonjës i SHIK-ut, i punësuar më pas në ambasadën shqiptare në Belgjikë, ka rrëmbyer dhe zhdukur dosjet e politikanëve dhe pushtetarëve shqiptarë, bashkëpunëtor të UDB së ish-Jugosllavisë dhe të agjenturave të tjera.

Bezhani ka pohuar se ngjarja ka ndodhur gjatë qeverisjes së parë të Partisë Demokratike. Siç dihet, SHIK-u i atëhershëm ka qenë një kamxhik në duart e Sali Berishës. Në këtë kuadër, Bezhani shton se nuk ka ndonjë pritshmëri të madhe nga procesi i hapjes së dosjeve. “Janë zhdukur në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike. Personi ka qenë punonjës i Shërbimit Informativ Kombëtar. Kur nisi punën komisioni, u kërkua dokumentacioni. U mblodh i gjithë SHIK-u për të kërkuar disqet.

Punonjësi u arratis. Më pas është punësuar në ambasadën shqiptare në Bruksel. Nga 73 disqe që janë vjedhur, 56 kanë qenë me informacione që përfshinin politikanë dhe pushtetarë të lartë si agjentë të shërbimeve të huaja. Përveç disqeve, janë zhdukur dhe dosje me informacione të shërbimit sekret, njëkohësisht është vjedhur dhe truri i skeduar i arkivës së SHIK dhe listat e me emrat e bashkëpunëtorëve të UDB në Shqipëri. Vjedhja e tyre u zbulua në pranverën e vitit ’97”, ka pohuar ai.


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Protestë në aksin Thumanë- Kashar, banorët kërkojnë hyrje dhe dalje për zonat e tyre! Policia ndërhyn për t'i larguar nga rruga! Hidhet gaz lotsjellës

Protestë në aksin Thumanë- Kashar, banorët kërkojnë hyrje dhe dalje për zonat e tyre! Policia ndërhyn për t'i larguar nga rruga! Hidhet gaz lotsjellës