PRISHTINË, 29 Janar /ATSH/.-Kryesia ekzekutive e Sindikatës së Policisë së Kosovës në mbledhjen e mbajtur, duke analizuar protestat që ndodhën më 24 dhe 27 janar erdhi në përfundim se, "Sindikata e Policisë së Kosovës që nga themelimi i saj vazhdimisht ka theksuar se angazhohet fuqishëm për funksionim të shtetit juridik" dhe se, "kjo nënkupton shkallën më të lartë të raporteve demokratike në shtet".
Në komunikatën e dërguar më tej theksohet se, "sindikata si subjekt që mbron të drejtat e anëtarësisë së vet, të cilët janë zyrtarët policorë që për mision kanë zbatimin e ligjit, lidhur me ngjarjet e datës 24 dhe 27 janar 2015 reagon dhe dënon fuqishëm të gjithë ata qofshin individë apo grupe të caktuara që sulmuan me mjete të forta duke shkaktuar dhunë, ku si pasojë e kësaj kemi një numër të madh të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të lënduar, si dhe dëme të mëdha materiale në pronat publike dhe private, prandaj kërkon që ndaj autorëve të merren masat e parashikuara ligjore".
"Policia e Kosovës është e popullit të Kosovës, e cila duke zbatuar në praktikë misionin fisnik të përcaktuar ne Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjit të Policisë, të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe institucioneve të Republikës ka për detyrë t'u ofrojë rend, qetësi dhe siguri, e këtë e bëjnë çdo ditë dhe në vazhdimësi do ta bëjnë, prandaj theksojmë se çdo sulm mbi pjesëtarët e Policisë së Kosovës nuk mund të përcaktohet ndryshe përveçse akt i dhunshëm ndaj policisë, të cilin e dënojmë ashpër", shprehet Sindikata e Policisë së Kosovës.
Në komunikatë thuhet se "Sindikata e Policisë do të përkujdeset për të gjithë pjesëtaret e saj të Policisë së Kosovës të lënduar gjatë protestave të datës 24 e 27 janar dhe do t'i mbrojë në çdo aspekt juridik"./b.j/k.s/