Sindikata e Punonjësve të Universiteteve letër qeverisë: Të vaksinohet edhe stafi akademik, krahas bluzave të bardha

Sindikata e Punonjësve të Universiteteve letër qeverisë: Të vaksinohet edhe stafi akademik, krahas bluzave të bardha

Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama, ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe ministres së Arsimti, Evis Kushi ku kërkojnë që të vaksinohet edhe stafi akademik dhe ndihmës akademik të universiteteve krahas personelit të sistemit shëndetësor.

Në arsyetimin e Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve thuhet se prej dy vitesh mësimi në universitete bëhet online dhe për këtë ka krijuar mangësi në formimin e studentëve, në mënyrë të veçantë të atyre që vijojnë studimet në shkencat mjekësore, biologjike, natyrore, bujqësore, teknike-inxhinerike dhe se vaksinimi i akademikëve mund të sjellë rikthimin në auditore të studentëve duke shmangur thellimin e mangësive në formimin e tyre.

Gjithashtu në letër thuhet se akademikët janë shumë të ekspozuar ndaj virusit, si rezultat i seancave mësimore me një numër të madh studentësh gjatë leksioneve, seminareve dhe provimeve.  

Komiteti Teknik i Ekspertëve për pandeminë bëri të ditur më 6 janar se universitete do të vijojnë mësimin online edhe për 2 javë të tjera deri më 20 janar. Mosprania e tyre në auditorë ka sjellë mangësi në formimin e  tyre shprehet sindikata e punonjësve të universitete, por që rikthimi i tyre në auditorë do të rrisë rrezikun për infektimin e stafit akademik dhe për këtë kërkojnë vaksinimin.

Shqipëria mbylli sot ditën e 4-të të vaksinimit, ndërsa ajo po behët fillimisht për bluzat e bardha që janë në vijën e parë të luftës me COVID-19.

Letra e plotë

Drejtuar SH.T.Z. Edi RAMA Kryeministër i Shqipërisë

Znj. Evis KUSHI Ministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë

Znj. Ogerta Manastirliu Ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

Konferencës së Rektorëve të Universiteteve të Shqipërisë

I nderuar Z. Kryeministër! Të nderuar ministra! Të nderuar rektorë!

Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH), duke qenë e ndërgjegjshme për situatën që po kalon vendi, si rezultat i përballjes me pandeminë e Covid-19, duke analizuar në veçanti vështirësitë që ka kaluar stafi akademik dhe ndihmës akademik në këtë periudhë, si dhe duke qenë e shqetësuar për pasojat e rënda në cilësinë e mësimdhënies dhe të mësimnxënies (pasi është viti i dytë që mësimi zhvillohet online) parashtron kërkesën si më poshtë : Dhënien përparësi në planifikimin kombëtar të vaksinimit kundër Covid-19 të stafit akademik dhe ndihmës akademik të universiteteve, krahas personelit të sistemit shëndetësor

Këtë kërkesë e mbështesim në arsyetimin e mëposhtëm:

a) Shumica e studentëve dhe pedagogëve janë të mendimit se kthimi, sa më herët që të jetë e mundur në auditor është domosdoshmëri për të mënjanuar mangësitë e konsiderueshme në formimin e studentëve, në mënyrë të veçantë të atyre që vijojnë studimet në shkencat mjekësore, biologjike, natyrore, bujqësore, teknike-inxhinerike, shkencave të tjera të aplikuara, të arteve dhe sporteve, ku formimi praktik, përmes punëve laboratorike, ushtrimeve dhe demonstrimeve në auditor është thelbësor. Nëse procesi mësimor do të vazhdojë online edhe në semestrin II të këtij viti akademik, këto mangësi do të thellohen akoma më shumë për studentët që vijojnë mësimin online që nga semestri II i vitit të kaluar akademik, sepse ai (mësimi online) do të përbënte rreth 50% të të gjithë studimeve të tyre në nivelin e ciklit të parë (bachelor) dhe rreth 70% e studimeve të ciklit të dytë (Master). Kthimi në auditore gjatë shkurtit, për provimet e semestrit I dhe për fillimin e semestrit II, do të mënjanonte thellimin e mangësive në formimin e studentëve. Në rast të kundërt studentët nuk do të mund t’i kompensojnë këto mangësi në formimin universitar deri në fund të ciklit përkatës të studimeve, ç’ka do të thotë që ata të diplomohen me një nivel të ulët të formimit profesional, veçanërisht në realizimin e formimit praktik të tyre.

b) Stafi akademik dhe ndihmës akademik është shumë i ekspozuar ndaj virusit, si rezultat i seancave mësimore me një numër të madh studentësh gjatë leksioneve, seminareve dhe provimeve. Kjo u vërtetua me rritjen e ndjeshme të numrit të pedagogëve që u infektuan gjatë muajit tetor dhe nëntor 2020, për shkak të sezonit shumë intensiv të provimeve në auditore (Shumë prej tyre u sëmurën rëndë dhe, siç dihet, disa pedagogë humbën jetën për shkak të infektimit me Covid 19.). Ne mendojmë se dhënia përparësi në vaksinim stafit akademik është realiste, sepse numri i pedagogëve me kohë të plotë është rreth 5000 veta dhe, ndër ta, personat mbi 45 vjeç zënë vetëm rreth 50 % të numrit të përgjithshëm (rreth 2500 veta). Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) shprehet e gatshme të bashkëpunojë me autoritetet për realizimin me sukses të këtij procesi përcaktues për formimin e studentëve të institucioneve tona publike dhe private të arsimit të lartë.

I.K/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja