Trupi që kthehet në varg dhe zëri që merr peshë fizike. Kjo është fryma e festivalit ndërkombëtar “Sintrak”, i cili po mbahet në kryeqytet, duke bërë bashkë poezinë dhe kërcimin bashkëkohor.
Në ditën e tij të dytë, festivali ka pasur të ftuar shkrimtarin bullgar Todor Todorov.
“Në Ballkan kemi diçka të përbashkët: e përjetojmë modernizimin në mënyrë brutale, ndërsa ruajmë zakone e aspekte groteske. Për mua letërsia e mirë është përtej zhanreve.”, tha mes të tjerash Todorov.
Në bisedën e tij me Ben Andonin me temë “Arkeologët e Kujtesës ose Historia e Shtypur e Europës”, autori bullgar Todorov i ardhur në shqip me romanin “Hagabula” nga përkthyesja Milena Selimi solli një reflektim të thellë mbi qetësinë e Evropës, raportin me natyrën dhe pasojat e shkatërrimit të botës.
“Ajo që konkludojmë është se Evropa gjithmonë është përpjekur të skllavërojë e përdorë të tjerët. Është ajo metafora e Dostojevskit: sikur e gjithë pasuria e botës është mbyllur në një shtëpi qelqi, ndërsa harrojmë se për një kohë të gjatë kemi shkatërruar jetën e njerëzve.”, vijoi Todorov.
Ky bashkëbisedim ishte pjesë e festivalit tri-ditor, që solli në Tiranë si të ftuar nderi shkrimtarin Georgi Gospodinov, fitues i Çmimit Ndërkombëtar “Booker Prize 2023”, i njohur në shqip me veprat “Roman Natyral”, “Fizika e Trishtimit”, “Kohëstrehim” dhe “Kopshtari dhe Vdekja”, por dhe të tjerë autorë, si: Dinçer Güçyeter, Rita Petro e Manjola Nasi.
Festivali është organizuar për herë të parë nga Qendra e Artit dhe e Librit “Zgjoi” në bashkëpunim me Shkollën e Baletit dhe Qendrën Kombëtare të Fëmijëve në datat 17, 18, 19 shtator.
Sipas Milena Selimit, ideatore e festivalit “Sintrak është vija e thyer ku poezia dhe koreografia bashkëkohore ndërpresin rrjedhën e zakonshme të sistemit. Pa ndjekur rrugët e rrahura SINTRAK krijon një trak të ri, një hapësirë ku zëri merr peshë fizike dhe trupi kthehet në varg. Sintrak është ndërhyrja që çmonton strukturat e vjetra për të lëshuar në skenë një energji të papërpunuar”.
Surprizë e festivalit ishin poezitë të lexuara për herë të parë në publik nga Georgi Gospodinov, përkthyer nga Janka Selimi, përkthyesja e parë e Gospodinovit në gjuhën shqipe.

Komente
Komento