SIRI - Të paktën 16 persona kanë mbetur të vdekur nga shpërthimi i një autobombe në Katana, një zonë në verilindje të kryeqytetit sirian Damask. Agjencia e lajmeve “Sana” raporton se nga shpërthimi u lënduan edhe 23 persona ku mes tyre pjesa më e madhe janë fëmijë dhe gra.

Gjatë javëve të fundit, luftimet mes forcave kryengritëse që kanë rrethuar Damaskun dhe ushtrisë siriane janë përshkallëzuar akoma më shumë.

Dje Ministria e Brendshme Siriane në Damask u vu në shënjestër nga tre shpërthime ku disa persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Ngjarjet e fundit në Siri përkojnë me njohjen e kryengritësve si qeveri e ligjshme e Sirisë nga 100 shtete përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një njohje që mund të rezultojë vendimtare për fatin e luftës civile.

(lç/eç/shqiptarja.com)