DAMASK, 16 mars /ATSH-AFP/ - Presidenti sirian Bashar al-Assad deklaroi sot se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të kalojnë nga fjalët në vepra, pas deklaratave të sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry i cili ka afirmuar se Uashingtoni duhet të negociojë me regjimin.
"Ne dëgjojmë vazhdimisht deklarata, duhet të presim për veprime dhe në atë moment do të marrim një vendim", deklaroi Assad, sipas citimeve të bëra nga agjencia zyrtare siriane e lajmeve, SANA.
Kerry deklaroi të dielën se duhen bërë negociata me Assadin për t'i dhënë fund konfliktit që ka shkaktuar më shumë se 215 000 të vdekur brenda katër viteve.
Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit ka theksuar se nuk do të ketë asnjë ndryshim nga qëndrimi që mban Amerika dhe se nuk ka të ardhme për një diktator si Assadi në Siri.
Në një koment të shkurtër, Assad tha se ndryshimi i vërtetë i komunitetit ndërkombëtar kundrejt regjimit të Damaskut duhet të fillojë kur të ndalohet mbështetja politike dhe ushtarake ndaj terroristëve, duke iu drejtuar kështu rebelëve sirianë të cilët duan ta rrëzojnë nga pushteti.
"Çdo ndërhyrje ndërkombëtare në këtë kontekst do të sillte diçka pozitive, sigurisht nëse është diçka e sinqertë dhe efektive", shtoi Assad./ /m.l/ a.jor.