DAMASK, 28 qershor /ATSH-AFP/ - Zëvendësministri rus i Punëve të Jashtme, Serguei Ryabkov konfirmoi sot në Damask se vendi i tij nuk do të qëndrojë duarkryq përballë ofensivës së xhihadistëve në Irak.
"Rusia nuk do të qëndrojë duarkryq përballë përpjekjeve të grupeve të armatosura për përhapjen e terrorizmit në vendet e rajonit", deklaroi Ryabkov në një konferencë shtypi në përfundim të një takimi me presidentin sirian, Bachar al-Assad.
Ryabkov, vendi i të cilit është mbështetësi kryesor i regjimit të Assad, iu përgjigj një pyetjeje mbi ofensivën e grupit ultra radikal Daech (shteti islamik në Irak dhe Levant EIIL) këto javët e fundit në veri dhe perëndim të Irakut.
"Situata është shumë e rrezikshme në Irak dhe kërcënon themelet e shtetit irakian", shtoi Ryabkov, duke këmbëngulur se si në Siri ashtu dhe në Irak, zgjidhja mund të vijë vetëm me një dialog të vërtetë kombëtar.
I pyetur për vendimin e SHBA-së për të mbështetur opozitën e moderuar të armatosur në Siri, Ryabkov përsëriti se nuk kishte alternativa për zgjidhje politike.
"Ne hedhim poshtë një politikë të tillë amerikane. Është në interes të të gjithëve, pëfshirë këtu dhe amerikanët, për të miratuar një qëndrim të përgjegjshëm përsa i përket krizës siriane", shtoi ai.
Presidenti amerikan, Barack Obama i kërkoi Kongresit zhbllokimin e 500 milionë dollarëve për të trajnuar dhe pajisur opozitën e moderuar të armatosur në Siri, përballë influencës së ekstremistëve sunitë EIIL në Siri dhe në Irakun fqinj./
/ec/